Magani s’do aventura: Më kënaq edhe barazimi

Jul 7, 2011 | 10:35

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, nuk kërkon që skuadra e tij të kalojë në aventurë në ndeshjen ndaj Buduçnostit. Ai dëshiron që kuqezinjtë të tregohen racionalë në fushë, duke pasur parasysh edhe rezultatin e ndeshjes së parë, ku avantazhi është i dukshëm dhe vlonjatët janë me një këmbë në turin e dytë. Për peqinasin është një sukses i madh në karrierën e tij si trajner, teksa debuton në Ligën e Europës, duke drejtuar ekipin vlonjat. “Të jemi realistë, sot ndaj Buduçnostit më kënaq edhe barazimi. Rëndësi ka të kualifikohemi,” ka thënë ndër të tjera Magani. Trajneri i Flamurtarit nuk e shkon ndërmend se malazezët mund të përmbysin rezultatin. “Tashmë e kemi krijuar idenë se si luan kundërshtari dhe kjo na ka shërbyer shumë që në takimin e sotëm të luajmë pa frikë. Grupi që kam në dispozicion për këtë ndeshje, ka një formë të mirë, që premton për ta kaluar edhe këtë herë Buduçnostin. Më duhet të them se malazezët nuk janë një ekip i lehtë, pavarësisht se ne i mposhtëm 3-1. Nëse u lë hapësira, mund të të ndëshkojnë. Unë kam zgjedhur edhe këtë herë skemën që përdora në ndeshjen e parë”, ka pohuar Magani.

© Panorama.al

Te lidhura