Madhi: PR mori 76 mijë vota, jemi forca e dytë e së djathtës

May 18, 2011 | 9:53

Nënkryetari i Partisë Republike, Arian Madhi, deklaroi dje se kjo parti, me rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit, është shpallur si partia e dytë e së djathtës në Shqipëri. Sipas tij, në këto zgjedhje republikanët morën 76 mijë vota dhe kur procesi ende nuk ka përfunduar, ky rezultat mund të shkojë deri në 80 mijë vota për PR-në. Ky rezultat është rreth 50 mijë vota më shumë se në vitin 2009, por edhe si rezultati më i madh në vota që kjo parti ka marrë që nga formimi i saj në vitin 1991. “Partia Republikane ka marrë 76 mijë vota, ndërkohë që deri në përfundim të procesit me shpalljen përfundimtare të rezultatit nga KQZ-ja ne presim një rezultat edhe më të lartë, prej mbi 80 mijë votash. Ky është një rezultat i shkëlqyer i Partisë Republikane, rreth 50 mijë vota më shumë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 tregojnë në mënyrë impresionuese se zgjedhësit shqiptarë votojnë në mënyrë konsistente dhe në rritje partinë e vlerave morale, si një faktor serioz në perspektivën e Shqipërisë europiane. Ky proces përbën rezultatin më të lartë në 20 vite”, deklaroi Madhi.

LSI, parti e tretë në Këshillin Bashkiak
Lëvizja Socialiste për Integrim, me 20525 votat marrë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, është renditur e treta në listën e partive që përfitojnë këshilltarë. LSI pritet të marrë më shumë këshilltarë se në 2007, kur kishte grumbulluar 18 mijë vota në Tiranë. Në një dalje për mediat dy ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi fitore spektakolare rezultatin e LSI-së në Tiranë dhe në të gjithë vendin. 120 mijë vota në të gjithë vendin numëron LSI, duke u renditur edhe në këtë klasifikim forcë e tretë politike.

© Panorama.al

Te lidhura