Macron: Rusia nuk duhet të bëjë llogari me lodhjen e Europës! Po mobilizohen fonde tona në shërbim të Ukrainës

Nov 17, 2025 | 16:41

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca synon të vërë në shërbim të Ukrainës dhe më gjerë të gjithë Evropës kapacitetet e saj industriale dhe teknologjike. Këto deklarata u bënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris.

macron

Makron theksoi se Rusia “nuk duhet të llogarisë në lodhjen e Evropës” për çështjen ukrainase dhe se Franca do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kievit në nivele ushtarake, ekonomike, politike dhe humanitare.

Ai nënvizoi se një Ukrainë më e fortë, demokratike dhe e integruar në Bashkimin Evropian përforcon edhe më shumë të gjithë kontinentin. I pyetur nëse qëndrimi i Francës do të mbetet i pandryshuar pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2027, Makron shprehu shpresën se deri atëherë lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të ketë marrë fund.

Sa i përket financimit të nevojave ushtarake të Ukrainës, presidenti francez tha se burimet do të sigurohen gradualisht përmes zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse. Ai shtoi se, teksa po mobilizohen fonde evropiane në mbështetje të Ukrainës, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi, duke zëvendësuar SHBA-të aty ku është e mundur.

Makron bëri të ditur se Franca do të vazhdojë veprimet kundër “flotës fantazmë” tregtare të Rusisë, e cila, sipas tij, kontribuon ndjeshëm në financimin e luftës së Moskës në Ukrainë. Ai përshëndeti si “zhvillim shumë të rëndësishëm” sanksionet e reja amerikane ndaj kompanive ruse të naftës.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti “historike” marrëveshjen me Francën për avionët luftarakë Rafale dhe vlerësoi faktin se Ukraina “nuk është e vetme” në përpjekjen për forcimin e mbrojtjes së saj.

© Panorama.al

Te lidhura