Macron: Nëse përpjekjet e Trump dështojnë, BE duhet të bashkëpunojë me Putinin

Dec 19, 2025 | 16:49

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të premten se Europa duhet të jetë e gatshme të rifillojë bisedimet e drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin, nëse përpjekjet e fundit të Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë nuk japin rezultat.

macron

Udhëheqësit evropianë, të cilët mbeten të kujdesshëm ndaj ambicieve të ardhshme ushtarake të Putinit, janë shprehur të pakënaqur që janë përjashtuar nga bisedimet e paqes të udhëhequra nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, duke u detyruar të mbështesin qëndrimet negociuese të Ukrainës nga prapaskena.

“Ose do të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë, me garancitë e nevojshme të sigurisë, ose në javët në vijim do të duhet të gjejmë mënyra që evropianët të rikthehen në një dialog të plotë me Rusinë, me transparencë të plotë,” u shpreh Macron para gazetarëve në Bruksel.

Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nuk reagoi menjëherë ndaj një kërkese për koment.

Deklaratat e Macron erdhën pasi liderët e Bashkimit Evropian vendosën të financojnë Ukrainën me një kredi prej 90 miliardë eurosh (rreth 105,4 miliardë dollarë), e cila do të mbulohet nga buxheti i BE-së dhe jo nga asetet ruse të ngrira, për shkak të mospajtimeve të thella mes shteteve anëtare.

Presidenti francez theksoi se BE-ja nuk mund të mbetet pa komunikim të drejtpërdrejtë me Moskën, nëse administrata Trump e ka këtë mundësi. Zyrtarë amerikanë pritet të zhvillojnë këtë fundjavë bisedime me negociatorë rusë në Miami.

Shumica e vendeve të BE-së, me përjashtim të Hungarisë dhe Sllovakisë, kanë ndërprerë kontaktet me Putinin që nga pushtimi i Ukrainës. Macron zhvilloi në korrik një bisedë telefonike dyorëshe me Putinin – e para pas tre vitesh – gjatë së cilës kërkoi armëpushim, por pa ndikim të dukshëm në rrjedhën e luftës.

Sipas Macron, BE-ja ka interes të gjejë një kornizë të përshtatshme për të rifilluar bisedimet me Rusinë, përndryshe rrezikon që liderët evropianë të mbeten duke diskutuar vetëm mes tyre, ndërsa negociatorë të tjerë flasin drejtpërdrejt me Moskën.

Lodhja nga lufta po rritet

Disa udhëheqës të BE-së paralajmërojnë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruhet niveli i lartë i mbështetjes publike për vazhdimin e përpjekjeve luftarake të Ukrainës.

Liderët evropianë në Bruksel ishin të vendosur të shmangnin rrezikun e falimentimit të Kievit vitin e ardhshëm, duke e konsideruar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si kërcënim për sigurinë e tyre. Megjithatë, shumica shpresonin që financimi të vinte nga asetet ruse të ngrira dhe jo nga fondet e tyre.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se marrëveshja e samitit tregoi se Europa mund të veprojë kur është e nevojshme, por shtoi se disa qeveri të BE-së po përballen me presion politik gjithnjë e më të madh në vendet e tyre.

“Kjo është ajo që shpreson Putini: një kombinim i lodhjes nga lufta me një luftë hibride që sjell pasiguri dhe paqëndrueshmëri të madhe në shoqëritë tona,” tha Frederiksen pas samitit.

© Panorama.al

Te lidhura