Në Bashkinë e Lushnjës, kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Fatos Tushe, kryeson me 4930 vota deri në mesnatën e djeshme kundrejt 3489 votave të siguruara nga kandidati i Aleancës për Qytetarin, Albert Sanxhaku. Nuk ka pasur probleme gjatë numërimit të votave, rezultati i tyre duket se është ende i largët, pasi nga 65 qendra votimi në mbrëmje ishin përfunduar 27 të tilla për Bashkinë e Lushnjës. Deri tani, Albert Sanxhaku i LSI-së, kryebashkiak aktual, është në disavantazh nga numërimi i votave. Ai e ka drejtuar Bashkinë e Lushnjës për 4 vjet dhe pretendoi për një mandat të dytë. Sanxhaku i fitoi zgjedhjet e kaluara nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe brenda këtij 4-vjeçari ai ndërroi dy herë partinë. Para dy vjetësh u radhit në forcat e të majtëve, pra të Partisë Socialiste dhe muajt e fundit iu kthye sërish partisë që e nxori fitues në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa nga ana tjetër, Fatos Tushe, i kandiduar në këto zgjedhje vendore nën siglën e Partisë Socialiste, ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Lushnjës në vitet 2007-2009. Pritet që përfundimi i numërimit të 65 qendrave të votimit të nxjerrë kandidatin më të zgjedhur të lushnjarëve. Pavarësisht përparësisë aktuale të kandidatit Tushe, ende nuk dihet nëse ata kanë zgjedhur si përfaqësues të tyre socialistin, apo Sanxhakun, që kërkon mandatin e dytë për kryebashkiak të Lushnjës. Pritet që në fund të ditës së sotme të mësohet mbi finalen e këtij votimi, pasi të arrihet në fund të numërimit të qendrave të votimit. m.r











