LUSHNJE – Fatos Tusha, i Partisë Socialiste, vulos fitoren në qytetin e Lushnjës. Procesi i numërimit për këtë bashki përfundoi mbrëmë, duke shpallur fitues Tushën kundrejt kandidatit të LSI-së, Albert Sanxhaku, pjesë e Aleancës për Qytetarin. Të dhënat nga qendra e numërimit të votave tregojnë se diferenca mes dy kandidatësh ka qenë e madhe. Mësohet se Fatos Tusha ka arritur të sigurojë 11 526 vota përballë kandidatit Sanxhaku, i cili mori 7782 vota, duke mos arritur të sigurojë mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Lushnjës. Numërimi për këtë bashki vazhdoi me ndërprerje gjatë ditës së djeshme, duke arritur të përfundonte në mbrëmje. Sipas nënprefektit të Lushnjës, Florian Dani, nuk ka pasur incidente apo probleme gjatë procesit të numërimit të votave dhe se arsyet e ndërprerjeve janë për probleme teknike dhe për shkak të lodhjes së anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave. Për bashkinë e Lushnjës janë numëruar 64 qendra votimi dhe që nga nisja e këtij procesi, kandidati socialist ka qenë në avantazh, çka solli dhe fitoren e pritshme të tij në fund të procesit të numërimit. Albert Sanxhaku e ka drejtuar Bashkinë e Lushnjës për 4 vjet dhe pretendoi për një mandat të dytë. Ai i fitoi zgjedhjet e kaluara nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe brenda këtij 4-vjeçari ai ndërroi dy herë partinë. Para dy vjetësh u radhit në forcat e të majtëve, pra të Partisë Socialiste dhe muajt e fundit iu kthye sërish partisë që e nxori fitues në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa nga ana tjetër, Fatos Tushe, i kandiduar në këto zgjedhje vendore nën siglën e Partisë Socialiste, ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Lushnjës në vitet 2007-2009. m.r











