Lulzim Basha zgjedh këngëtarët e tij të preferuar, 1 mijë euro për të kënduar në 99-vjetorin e Pavarësisë

Dec 3, 2011 | 14:38

Axhenda e aktiviteteve që Bashkia e Tiranës organizoi në Tiranë për 99-vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë më 28 nëntor, u mbyll me koncertin madhështor te sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë, një koncert që nisi në orën 18:00 dhe vazhdoi për orë të tëra. Atmosfera festive e gjithë ditës kulmoi me koncertin e madh, ku u panë të ngjiteshin në skenë disa këngëtarë të njohur. Skena u kthye në një show të vërtetë, kur kënduan me radhë këngëtarë, si: Elton Deda, Elvana Gjata, Flori Mumajesi, Mentor Haziri, Vedat Ademi, Ermal Mamaqi, Eneda Tarifa, Big Basta, Greta Koçi, Rovena Dilo, Tuna Sejdiu, Noizy, Ronela Hajti, Samanta Karavella etj. Në publikun me qindra persona të pranishëm u nxeh atmosfera shumë shpejt, ndërsa mes tyre ishte kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij. Në këtë koncert u duk se ishin shumica e këngëtarëve të momentit, që natyrisht kanë qenë të përzgjedhurit e Bashës, duke u konsideruar dhe ndër këngëtarët e tij të preferuar. Ra në sy në këtë koncert mungesa e këngëtares Rosela Gjylbegu, e cila përveçse ka qenë gjithmonë e pranishme në këto koncerte të Partisë Demokratike, është e punësuar në Kuvendin e Shqipërisë, pranë znj. Jozefina Topalli. Ndërkohë që pyetja lind se sa ka qenë pagesa që këngëtarët kanë marrë për të kënduar në këtë koncert të madh. Sipas burimeve tona, thuhet se janë paguar me shumë të diferencuara, dhe maksimumi i pagesës ka qenë 1 mijë euro. Koncerte të tilla janë shumë të lakmuara nga këngëtarët, pasi kuptojnë edhe preferencat e  politikanëve ndaj tyre. Ndërsa vitet e fundit është shumë në modë përfshirja e këngëtarëve të rinj në strukturat e partive politike, kryesisht te të djathtët dhe të majtët.

© Panorama.al

Te lidhura