Luftoi regjimin e Gadafit dhe riorganizoi ushtrinë, kush ishte gjenerali libian Al-Haddad, i cili u vra në rrëzimin e avionit në Ankara

Dec 24, 2025 | 7:18

Tronditje ka shkaktuar rrëzimi i një avioni, në të cilin udhëtonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, gjenerali Mohammed al-Haddad, gjatë kthimit të tij nga një vizitë zyrtare në Turqi. Qeveria e Tripolit ka konfirmuar vdekjen e gjeneralit, si edhe të katër personave të tjerë që ndodheshin në bord.

gjenerali libian

Mohammed al-Haddad ishte një nga figurat më të rëndësishme të udhëheqjes ushtarake libiane në vitet e fundit. Ai lindi në vitin 1967 në qytetin Misrata dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake të Libisë në vitin 1987.

Gjatë luftës civile të vitit 2011, al-Haddad iu bashkua forcave revolucionare që luftuan kundër regjimit të Muammar Gaddafit, duke u afirmuar si një komandant me ndikim në Libinë e pasluftës.

Pas rënies së regjimit, ai mbajti poste të rëndësishme në strukturat ushtarake të vendit dhe në vitin 2021 u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Libiane.

Në këtë rol, al-Haddad ishte një nga arkitektët kryesorë të përpjekjeve për riorganizimin dhe ribashkimin e forcave të armatosura nën Qeverinë e Unitetit Kombëtar.

Gjatë mandatit të tij, ai u fokusua në forcimin e kapaciteteve ushtarake, integrimin e grupeve të armatosura në një strukturë të vetme shtetërore dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas mediave libiane, strategjia e tij konsiderohej kyçe për përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend, si edhe për bashkëpunimin rajonal me vendet e Afrikës së Veriut dhe Evropës.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkaqet e rrëzimit të avionit, ndërsa priten hetime zyrtare për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura