Luftimet Tajlandë-Kamboxhia, situata jashtë kontrollit dhe eksod masiv, mijëra njerëz marrin rrugën e arratisë

Dec 8, 2025 | 21:53

Banorët në të dyja anët e kufirit midis Tajlandës dhe Kamboxhias u evakuuan në masë të hënën, ndërsa shpërthyen përleshje të reja, duke vrarë të paktën pesë persona.

kamboxhia eksod

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për fillimin e dhunës, e cila është konfrontimi më serioz midis dy vendeve që kur ata ranë dakord për një armëpushim në korrik.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, thotë se vendi i tij “nuk ka dashur kurrë dhunë”, por do të “përdorë mjetet e nevojshme për të ruajtur sovranitetin e tij”, ndërsa ish-udhëheqësi i Kamboxhias, Hun Sen, akuzoi “pushtuesit” tajlandezë për provokim hakmarrjeje.

Që nga maji, tensionet në rritje midis fqinjëve kanë çuar në më shumë se 40 vdekje, si dhe në ndalime importi dhe kufizime udhëtimi.

“Reuters” kapi momentin e eksodit të madh në kufi, nga Kamboxhia duke ikur me mjetet e tyre me traktorë, biçikleta dhe furgonë. Të hënën, ushtria tajlandeze tha se trupat e saj i ishin përgjigjur zjarrit kamboxhian në provincën Ubon Ratchathani të Tajlandës, duke përfshirë edhe nisjen e sulmeve ajrore përgjatë kufirit të diskutueshëm; ndërsa ministria e mbrojtjes e Phnom Penh tha se ishin forcat tajlandeze që sulmuan të parat, në provincën Preah Vihear të Kamboxhias.

Të paktën një ushtar tajlandez dhe katër civilë kamboxhianë janë vrarë dhe rreth një duzinë janë plagosur si pasojë e luftimeve të së hënës, sipas zyrtarëve nga të dyja palët.

Gati 650 shkolla në pesë provinca tajlandeze janë urdhëruar të mbyllen për arsye sigurie, tha ministri i Arsimit i Tajlandës, pas tensioneve të reja që kanë filluar të ziejnë që nga e diela, informon BBC.

tajlande kamboxhia

Mosmarrëveshja shekullore kufitare midis kombeve të Azisë Juglindore u përshkallëzua në mënyrë dramatike me një breshëri raketash nga Kamboxhia në Tajlandë në mëngjesin e 24 korrikut, e ndjekur nga sulme ajrore tajlandeze.

Në tetor, të dyja palët nënshkruan një marrëveshje armëpushimi gjatë një ceremonie me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Malajzi. Në atë kohë, Trump pretendoi një arritje historike në përfundimin e konfliktit kufitar. Por vetëm dy javë pas nënshkrimit, Tajlanda tha se do të pezullonte zbatimin e marrëveshjes, pasi dy nga ushtarët e saj u plagosën në një shpërthim mine tokësore pranë kufirit me Kamboxhian.

Kamboxhia, e cila e nominoi Trumpin për çmimin Nobel për Paqen për rolin e tij në ndërmjetësimin e armëpushimit, ka pohuar vazhdimisht se është e përkushtuar ndaj marrëveshjes.

Tailanda dhe Kamboxhia kanë kontestuar sovranitetin territorial përgjatë kufirit të tyre tokësor 800 km për më shumë se një shekull, që kur kufijtë e të dy kombeve u hartuan pas pushtimit francez të Kamboxhias.

© Panorama.al

Te lidhura