Enrike Rikelme, kandidati për postin e presidentit të Real Madrid, ka trazuar tregun e futbollistëve në Europë me premtimet e tij për merkaton nëse ia del të mposhtë Florentino Perez në zgjedhje.
Ai ka premtuar publikisht emra si Rodri e Vitinja, por edhe Klop në pankinë e së fundmi, ka pozuar me një fanellë të Erling Haland duke theksuar se do të bënte gjithçka për të afruar sulmuesin norvegjez.
Deklarata të cilat nuk i kanë pëlqyer Mançester Sitit, që ka dalë me një komunikatë zyrtare kundër aludimeve të Rikelme se ka një plan për të sjellë norvegjezin në Madrid.
“Historitë që kanë lindur në Spanjë rreth të ardhmes së Erling Haland janë false. Nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë dhe nuk ka asnjë klauzolë kontraktuale që e mundëson. Po marrim në konsideratë ndërhyrje ligjore për përdorimin e imazhit të lojtarit tonë në këtë kontekst”, ishte komunikata e klubit që u publikua nga “AS”, duke i dhënë një goditje të fortë premtimit elektoral të Rikelme.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al












