Nga Beogradi, ku u ndal në kuadër të turit të tij ballkanit, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa i përsëriti Aleksandër Vuçiçit tre kërkesat që duhet të plotësojë vendi i tij për të vijuar me rrugën drejt Unionit evropian.
Në një konferencë me presidentin serb pas takimit të tyre, Costa theksoi se integrimi i Serbisaë duhet të bazohet në marrëdhënien e fqinjësisë së mirë me Kosovën. Faktor kyç, tha diplomati, është dialogu me Prishtinën dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.
Po ashtu, ai përsëriti edhe rëndësinë që Serbia duhet të jetë në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimin Evropian. Mes të tjerash, ai kërkoi nga presidenti serb që të adresohen edhe shqetësimet e shprehura më herët nga BE në lidhje sundimin e ligjit dhe ndikimin në sistemin gjyqësor.
“Zgjerimi bazohet në ndërtimin e besimit. Rruga është e vështirë, por shtegu është i qartë. Ne duhet të përqendrohemi në tre prioritete kryesore. Së pari, nxitja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal. Ato janë çelësi i sigurisë dhe prosperitetit ekonomik. Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit janë çelësi në këtë drejtim.
Një tjetër është përputhja me politikat e BE-së, veçanërisht politika e jashtme dhe e sigurisë. Janë tre reforma. Ne ju inkurajojmë të reformoni sundimin e ligjit, duke përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venedikut, pastaj lirinë e medias, si dhe reformimin e kornizës zgjedhore, domethënë zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it para zgjedhjeve të ardhshme” theksoi ai.
© Panorama.al












