Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet nga gazetarët në lidhje me thirrjet e protestuesve një ditë më parë para selisë së PD, duke akuzuar opozitën si të shitur.
Sipas Berishës, protestuesit kanë të drejtë të hedhin çdo slogan, por theksoi se duhet bërë dallimi mes qytetarit të lirë dhe opozitarit të opozitës. Këta të fundit, kreu i PD i quajti mjerim të politikës.
“Çdo protestues ka të drejtë të thotë ç’të dojë dhe askush nuk i ndërhyn. Nga protestuesi, qytetari i lirë dhe opozitarët e opozitës, këta të fundit janë shpërbetarë të qeverisë. Pra çdo qytetari i lirë në opozitë mund të thotë ç’të dojë, kurse tipat e stisur si opozitë e opozitës ata janë mjerim i politikës”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha deklaroi se mbështet çdo protestë, përfshirë edhe tubimet e fundit kundër projektit në Zvërnec, ku kërkohet edhe dorëheqja e Ramës, por theksoi se nuk marrin autorësinë.
“Nuk jemi ata ne që ti marrim protestën tjetrit, atë nuk e bëjmë kurrë. Ka një moral. Mbështesim cdo protestë të cdo qytetari, por ne autorësi nuk i marrim kurrë. Nëse ai bën antimiting atje, atëherë do përballet me ne”, tha Berisha.
© Panorama.al












