Luftë në Veri, plagosen katër ushtarë të KFOR-it

Sep 28, 2011 | 12:50
Ushtarët e KFOR-it dhe serbët në Veri të Kosovës, pranë pikës kufitare në Jarinë

Një frymë lufte është rikthyer në Veriun e Kosovës, kur reagimi i strukturave paralele nga heqja e barrikadave serbe prej KFOR-it ishte agresiv, deri në të shtëna. Katër ushtarë të KFOR-it janë plagosur. “Katër ushtarë të forcave paqeruajtëse janë plagosur, njëri prej tyre rëndë”, konfirmoi zëdhënësi i forcave paqeruajtëse në Kosovë, Kai Gudenoge. Edhe KFOR-i është kundërpërgjigjur, sipas zëdhënësit të tyre, me plumba gome dhe pesë serbë kanë mbetur të plagosur. Por, sipas “Kosovapress”, 17 serbë janë plagosur, mes të cilëve shtatë janë në gjendje të rëndë. Acarimi nisi kur serbët e Veriut morën instruksionet se si duhej të reagonin pasi ushtarët e KFOR-it hoqën një prej barrikadave të tyre duke liruar kalimin e një rrugë alternative, pranë një prej pikave kufitare. Me sa duket, urdhri nga Beogradi ka qenë për të mbrojtur me çdo kushte politikën serbe për Veriun, cilado qoftë kostoja. Pjesëtarët e kontingjentit amerikan të KFOR-it kanë hapur një rrugë alternative që shërbente për kalimin nga Jarina në Serbinë Qendrore. Serbët janë ankuar te mediat serbe se ushtarët e KFOR-it kanë qenë brutalë ndaj tyre dhe i kanë hedhur gaz lotsjellës. Pesë serbë janë arrestuar dhe u janë dorëzuar policëve të EULEX-it. “Kemi arrestuar 5 persona për shkak të sjelljes agresive në Jarinë, në portën 1. Më pas ata i kemi dorëzuar tek EULEX-i për hetime të mëtejshme dhe tani të pesë personat në fjalë janë liruar”, tha për REL zyrtari për informim i KFOR-it, Ralf Adametz. Ai shtoi se pesë metra më larg barrikadës së parë serbët kishin ngritur një tjetër barrikadë. Kryetari i ekipit të delegacionit serb për bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanoviç, tha se incidentet në Jarinë ndikojnë negativisht në negociata. “Ngjarjet në Jarinë tregojnë se ka ‘fuqi’ që nuk dëshirojnë të zgjidhin problemet me mjete paqësore, dhe për këtë arsye ata janë të gatshëm të ‘qëllojnë njerëz të paarmatosur’”. Por, zëdhënësi i KFOR-it, Kai Gudenoge, u kundërpërgjigj se ushtarët e KFOR-it u detyruan të vetëmbroheshin duke shtënë me plumba gome. “Serbët gjuajtën me gurë ushtarët gjermanë. Një ushtar u plagos dhe ushtarët u detyruan që në vetëmbrojtje të kundërpërgjigjen me plumba gome”, tha një përfaqësues i KFOR-it për AFP. Sekretari i Shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, akuzoi se “ushtarët e KFOR-it kanë shtënë në drejtim të serbëve në barrikadat e Jarinës. Këto janë protesta paqësore, ushtarët nuk kanë qenë të rrezikuar dhe nuk bëhet fjalë për një punkt të cilin ata formalisht e mbikëqyrin, por bëhet fjalë për rrugën alternative”, tha Ivanoviç. Zyrtarët e EULEX-it, pas incidentit në Jarinë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga dhuna. Zëdhënësi i EULEX-it, Nik Hauton, konfirmoi se “ka pasur një incident serioz në portën 1 në Jarinë dhe disa persona janë lënduar. Dhuna nuk është rruga që duhet ndjekur. Është e rëndësishme që njerëzit të ruajnë qetësinë, të tregojnë përmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi. Është gjithashtu e rëndësishme që njerëzit ta respektojnë sundimin e ligjit”, tha ai.

Debati
Dialogu me Serbinë është bërë temë debati dje në Kuvendin e  Kosovës. Deputetët janë shprehur se Kosova duhet t’í kundërshtojë përpjekjet e Serbisë që dialogu teknik i filluar në Bruksel të marrë karakterin politik të bisedimeve për Veriun e Kosovës. Sipas tyre, përqendrimi i bisedimeve vetëm për gjendjen në Veri apo portat kufitare me Serbinë, do të përbënte një rrezik për sovranitetin dhe integritetin e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura