Luftë me policinë për 1 kv drogë

Dec 10, 2011 | 13:58
Droga e bllokuar nga Policia e Janinës

Shqiptari luftë me policinë për të mos lëshuar drogën që po trafikonte nga vendi në drejtim të Janinës. Ai ka guxuar jo vetëm të hyjë me rreth 1 kuintal marijuanë, por dhe të qëllojë me armë ndaj forcave policore greke. Marijuana është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet policore të Janinës, ndërkohë që i riu shqiptar u arrestua për trafik të lëndëve narkotike dhe për goditje me armë të forcave policore. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së premtes, në thellësi të territorit grek, kur Aleks S., nga Patosi, shkeli territorin fqinj me një automjet, i cili më vonë rezultoi se ishte pronë e një bashkatdhetari të tij, i shpallur në kërkim për përfshirje në trafikun narkotik. Mjeti me 98.2 kg marijuanë ka hyrë në territorin grek i pakontrolluar nga autoritetet shqiptare, përmes një brezi kufitar të pavëzhguar nga forcat kufitare të të dy vendeve. Duke pasur frikën e zbulimit të marijuanës nga forcat kontrollore të të dy shteteve në Kakavijë, 31-vjeçari shqiptar zgjodhi një rrugë malore për të shkelur tokën greke. Mjeti ishte me targa greke dhe më vonë u mësua se i përkiste një shtetasi shqiptar, origjina dhe emri i të cilit nuk bëhen të ditura. Rrugëtimi i mjetit që drejtohej nga 31-vjeçari u ndalua nga forcat e Policisë së Janinës, në vendin e quajtur Lokostomo, disa kilometra në brendësi të territorit helen. Patrulla policore greke kishte ngritur një postbllok në këtë zonë dhe priste ardhjen e mjetit me drogë nga Shqipëria. Sapo ka parë postbllokun, shqiptari tentoi të kthehej mbrapsht, por u gjend në befasi nga një tjetër postbllok i befasishëm, i cili e izoloi atë. Në këto kushte, atij i ngeli rruga e vetme, të hapte zjarr ndaj patrullës policore përballë, dhe kështu veproi. Tre të shtëna pistolete në drejtim të postbllokut policor, ishte reagimi i Aleksit 31-vjeçar, nga Patosi, i cili për t’i shpëtuar kapjes, shtoi shpejtësinë e makinës së tij duke goditur mjetin e Policisë greke që kishte zënë rrugën. Tentativa rezultoi e dështuar, pasi forca goditëse nuk mundi ta shmangte nga rruga mjetin e Policisë dhe për pasojë u dëmtuan dy automjetet, si dhe u lëndua pak 31-vjeçari. Ky i fundit është arrestuar menjëherë dhe u transportua për t’u marrë në mëngjes në pyetje nga Policia e Janinës. Pas arrestimit, Policia e Janinës ka sekuestruar lëndën narkotike prej 98.2 kg marijuanë, e cila gjendej e shpërndarë në 90 pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Me sasinë e bllokuar dje në Janinë, shkon në 1.2 tonë sasia e marijuanës së kapur nga autoritetet policore greke këtë vit në zonën e Janinës dhe të Artës, origjina e së cilës është nga Lazarati.

JANINE/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura