Luftë brenda llojit dhe ata që hanë kumbullat e Ramës

Nov 7, 2025 | 8:15

NGA RAFAEL FLOQI RAFAEL FLOQI

Në oborrin e pushtetit të rilindjes, kumbullat janë shumë, por pemët pak. Dhe kushdo që ka zgjatur dorën për t’i shijuar, e di mirë se kumbulla e Ramës është si mollë e ndaluar: të josh, të mpin, e më pas të var në qafë si medalje turpi. Sot, në prag të prangave të Belinda Ballukut, po zhvillohet një luftë e rrallë; lufta brenda llojit, mes atyre që hanë të njëjtën kumbull, pinë të njëjtin nektar dhe mbrojnë të njëjtin zot.

ISHTE NJËHERË NJË TUNEL

Tuneli i Llogarasë, ky “simbol i modernitetit rilindas”, nisi si projekt për të lidhur bregdetin me botën, por përfundoi duke lidhur duar, llogari bankare dhe fatin e një qeverie që e quan veten “e paprekshme”. Në dhjetor të vitit 2020, kompania shqiptare “Gjoka Construction” fitoi garën me 140 milionë euro. Katër muaj më vonë, tenderi u anulua si “i papërshtatshëm”. Në vend të tij, një version i ri, turk, me çmim të fryrë në 190 milionë, mori jetë nën bekimin e të njëjtëve firmëtarë që sot flasin për “transparencë”. Nëpër korridoret e errëta të qeverisë, fjala “turk” nuk nënkupton më kombësinë, por përkatësinë – kush është “i yni” dhe kush “nuk është më”. Dhe për Belinda Ballukun, që për vite ka ndërtuar figurën e “vajzës së besuar të shefit”, kjo garë ishte edhe testi i fundit i luajalitetit. Por, siç duket, në politikën e rilindjes, lojaliteti nuk të shpëton dot kur kumbullat fillojnë të bien mbi kokë.

AHMETAJ, KUMBLLAXHIU I ARRATISUR

Në këtë dramë, Ahmetaj është si fantazma e llojit të vet, ish-aleat, ish-tru, ishbashkëpjesëmarrës. Nga Zvicra i arratisur, ai nisi “hakmarrjen”: denoncoi publikisht vjedhjen, e quajti “avullim 50 milionësh” dhe tregoi me gisht shefin e vet të dikurshëm. “Unë nuk jam 007”, – tha ai me cinizëm, “por Dumanit i mjafton të hapë dosjet”. Në fakt, kishte të drejtë. Dokumentet e doganave, videot propagandistike të vetë Ballukut e deri postimet në “Facebook”, që tregonin udhëtimin në Ankara, formojnë mozaikun e një skeme që i ngjan një filmi të keq spiunazhi, ku aktorët e njohur tani po vihen në radhë për paraqitje në SPAK. Por, më e bukura e gjithë kësaj është se Ahmetaj, që dikur firmoste njësoj tenderë me dorë të hekurt, tani po paraqitet si “profeti i vonuar” i drejtësisë. Dhe ndoshta, në mënyrën e tij të shtrembër, është bërë i tillë, jo nga morali, por nga instinkti i vetëmbrojtjes.

TUNELI QË NDAN RILINDËSIT

Sot, në këtë luftë brenda llojit, secili po kërkon të shpëtojë veten. Ahmetaj, duke rrëfyer. Balluku, duke heshtur. Rama, duke improvizuar. Por ajo që bie në sy është një realitet brutal: asnjë s’e mohon vjedhjen. Askush nuk flet më për “shpifje opozitare”. Tani mbrojtja është tjetër: “E bëmë për Erdoganin”. Pra, abuzimi është bërë “strategji diplomatike”. Vjedhja, “politikë e jashtme”. Dhe tenderi, “projekt miqësor”. Kështu, tuneli i Llogarasë po bëhet një lloj metafore e qeverisjes rilindase, një vrimë e gjatë, e errët, që të çon drejt dritës vetëm nëse di të ndalosh përpara se të shembet tavani.

RAMA DHE RRETHI I KUMBULLAVE

Në këtë histori, Edi Rama nuk del më si piktori i dritës, por si kopshtari i kumbullave që i ujit me frikë. Ai e di mirë se çdo kumbull e kalbur mund të infektojë pemën. Por i duhen, sepse fryti i korrupsionit është ushqimi i pushtetit të tij. Ai është mjeshtër i “rrotacionit brenda vetes”: kush digjet, zëvendësohet; kush flet, largohet; kush hesht, shpërblehet. Në këtë laborator lojaliteti, Balluku ishte modeli perfekt: grua e bindur, zë propagandistik, njeri i besuar. Por tani që SPAK i ka trokitur derës, ajo është kthyer në “rastin Balluku” — provën që edhe lojaliteti, kur kthehet në varësi, mund të të marrë frymën.

LUFTA QË SAPO KA NISUR

Në realitet, kjo nuk është çështje e një tuneli, por e një sistemi që po shembet nën peshën e vet. Të gjithë e dinë se “rrethit të ngushtë” po i vjen fundi jo nga opozita, jo nga revolta, por nga vetë shpërbërja e tij. Sepse, kur secili fillon të hajë kumbullën për vete, pemët thahen. Sot, Arben Ahmetaj është dëshmitari i rremë i së vërtetës, Belinda Balluku viktima e parë e sistemit që vetë ndërtoi dhe Rama, arkitekti që po pret të shpëtojë fasadën duke flijuar tullat. Në këtë luftë brenda llojit, kumbullat janë bërë armë. Dhe çdo kafshim lë shenjë. Tuneli i Llogarasë do të përfundojë ndoshta me një prerje shiriti të bujshme dhe duartrokitje të paguara. Por dritat në dalje nuk janë ato të rrugës së re, janë flakët që përpijnë një sistem që po e ha veten, kumbull pas kumbulle.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura