Presidenti Emmanuel Macron njoftoi gjatë një videokonference me aleatët e Kievit, se Franca do t’i dorëzojë Ukrainës ditët në vijim raketa kundërajrore Aster si dhe avionë luftarakë Mirage.
“Gjatë ditëve të ardhshme do të dërgojmë shtesë raketa Aster, avionë të rinj Mirage dhe programe të reja trajnimi,” deklaroi Macron, pa dhënë detaje të tjera.
Deri më tani, Franca i ka dorëzuar Ukrainës tre nga gjashtë avionët Mirage 2000 që kishte premtuar, kryesisht për nevojat e trajnimit të pilotëve ukrainas. Njëri prej tyre u rrëzua në korrik.
Raketat Aster 15 dhe Aster 30 prodhohen në bashkëpunim me Italinë dhe funksionojnë me sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP/T MAMBA, ekuivalenti italo-francez i sistemit amerikan PATRIOT.
Të dy vendet evropiane i kanë dërguar Ukrainës një numër të pacaktuar raketash, por Kievi kërkon më shumë për mbrojtjen e tij ajrore.
“Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë përpjekjet për mbështetjen e Ukrainës dhe presionin ndaj Rusisë,” theksoi Macron përpara liderëve të “Koalicionit të Vullnetarëve”.
Këtë samit e bashkëkryesojnë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
© Panorama.al












