LSI: Rama, regjisor i 21 janarit. Të kërkojë ndjesë

Jan 20, 2012 | 12:49

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë apel kreut të PS-së, Edi Rama t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve për mashtrimin me video montimin, që pas cmontimit rezultoi jo vetëm bllof por dëshmoi për skenarin e dhunshëm të 21 janarit të shkuar.

Në një deklaratë për mediat, Ylli Manjani ka akuzuar Ramën si regjisorin politik të skenarit të dhunshëm të 21 janarit, ku pasi mashtroi shqiptarët me video montazhin, i bëri mish për top, duke i konfrontuar me forcat e sigurisë.

“Zotërinjtë, limonë të shtrydhur që kapin veten në flagrancë duke ndarë jo vetëm paratë e fëlliqura, por interesat korruptive e që u vunë në dispozicion të dhunës nuk kanë mbështetjen e LSI. Ata prej kohësh, kanë bërë zgjedhjen, janë strehuar nën sqetullat e PS së Ramës, po jo të socialistëve”- tha ai.

Sipas tij, as streha politike e Ramës dhe as imuniteti juridik i garantuar nga Prokuroria nuk mund t’i shpëtojë ata prej përgjegjësisë ligjore.

“Këta janë pjesë e skenarit të dhunës së 21 janarit dhe nëse i shpëtojnë prokurorisë nuk kanë shans t’i shpëtojnë drejtësisë. LSI denoncon sot edhe njëherë se dhuna që buron nga paratë e fëlliqura, është e papranueshme dhe e dënueshme. Ne nuk kemi punë me fatin personal e politik të askujt, por kërkojmë si LSI që organizatorët e dhunës së 21 janarit duhet t’i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan duke i konfrontuar me forcat e sigurisë kombëtare që i bënë mish për top”-tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura