LSI: Ligji për sigurimet shëndetësore, hap i madh

Feb 26, 2011 | 10:51

Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, përshëndeti dje ligjin e ri të miratuar në Parlament “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”. “E një rëndësie të veçantë është hapi i ndërmarrë në këtë ligj, për shndërrimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ku nuk kemi thjesht të bëjmë me një ndryshim të emrit, por me krijimin e një fondi që do të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri maksimale tek të siguruarit që kanë derdhur kontribute pranë tij. Gjithashtu, e rëndësishme është që nuk rritet masa e kontributit për popullatën, pasi nuk ka ndryshuar masa e kontributit të sigurimit shëndetësor, që mbetet 3.4%”, u shpreh Tavo. Sipas tij, ky ligj ka një dimension shumë të fortë social dhe human, duke siguruar mbulimin me kujdes shëndetësor të shtresave të varfra, të papunëve, fëmijëve deri 18 vjeç, të moshuarve, invalidëve, studentëve dhe kategorive të tjera në nevojë. “Skema e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore synon në mbulimin e popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, të financuara nga sektori publik dhe privat. Kjo skemë ofron një mbulim universal, duke siguruar shëndet për të gjithë”, u shpreh Tavo.

© Panorama.al

Te lidhura