LSI: Konsensusi s’përjashtohet

Jan 9, 2012 | 10:33

Ylli Manjani

Manjani: Debati, për kriteret dhe staturën e Presidentit.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk përjashton procesin politik për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, tha dje se procesi politik është ndjekur në të gjitha zgjedhjet e kreut të shtetit. “Dëshira e çdo opozite do të ishte që për zgjedhjen e Presidentit të zhvillohej një proces politik. Në të gjitha zgjedhjet e Presidentit në Shqipëri ka pasur proces politik dhe në këtë rast nuk ka pse të mos ketë proces politik rreth debatit, kritereve apo staturës së kandidatit. Në momentin që fillon debati rreth leximit të pikave të nenit për zgjedhjen e Presidentit, ky nuk është më një proces politik, këtu palët kanë filluar t’i largohen njëra-tjetrës nga procesi politik dhe tentojnë të anashkalojnë njëra-tjetrën. Maxhoranca është shumë komode, siç do të ishte Rama në maxhorancë, dhe në fund të raundeve e zgjedh Presidentin me shumicë të thjeshtë”, u shpreh Manjani për “Panorama”. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus të plotë në 2008 synonin shmangien e krizave politike në rastet kur zgjedhja e Presidentit çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. “Ndryshimet kushtetuese të 2008-s kanë përcaktuar një pikë në nenin 87, ku thuhet se nëse nuk paraqitet kandidat në seancën e parë, ajo quhet e ezauruar dhe fillojnë e numërohen raundet deri në raundin e katërt, kur Presidenti zgjidhet me 71 vota. Neni 87 i Kushtetutës me konsensusin e PS-së dhe PD-së në 2008 e ka zgjidhur krizën e Presidentit përmes ndryshimeve kushtetuese që u bënë në 2008 nga konsensusi Rama-Berisha. Përcaktimin kushtetues që në zgjedhjen e Presidentit quhet e ezauruar seanca edhe kur nuk ka kandidat për President e ka vetëm Shqipëria. Me këtë fjali bie çdo alibi e opozitës, si juridike, ashtu dhe politike për të diskutuar për proces politik apo jo”, u shpreh Manjani. Ndërsa lidhur me mundësinë e adresimit në Gjykatën Kushtetuese të PS-së përmes një kërkese për interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës, Manjani mendon se kjo Gjykatë vihet në lëvizje sa herë ka një diskutim apo një debat për këtë çështje dhe palët shprehin qëndrime të ndryshme. “Jam kundër interpretimit abstrakt të çështjeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pra nisjen e një interpretimi pa pasur një diskutim, një debat. Gjykata nuk mund të bëjë një interpretim pa pasur një konflikt mes palëve për një çështje të caktuar, atëherë ajo bën një interpretim dhe zgjidhje kësaj çështjeje. Gjykata ka bërë një herë interpretim abstrakt, kur ka qenë president Meidani”, u shpreh Manjani.

Beja: Kushtetuta flet qartë
Sipas deputetit Fatos Beja: “Kushtetuta është në fuqi, ndaj them që debati ka karakter të mirëfilltë politik dhe është i parakohshëm. Kushtetuta është në fuqi dhe nuk ka vend të diskutohet pse dhe si u ndryshua. Unë gjykoj që i gjithë diskutimi i deritanishëm ka një karakter të mirëfilltë politik dhe prandaj gjykoj që duhet të respektohet institucioni i Presidentit deri në përfundim të mandatit të tij dhe nuk duhet të bëhet pjesë e politikës së ditës dhe interesave të veçanta partiake që në fillim të vitit”, u shpreh ai.

Rama: Duhet një proces europian
Kreu i opozitës, Edi Rama, ka folur për një proces me konsensus lidhur me zgjedhjen e Presidentit në korrik. “Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri, dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces europian. Në radhë të parë, ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër”, tha Rama pak ditë më parë.

Braçe
Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erjon Braçe, tha se tri raundet e para të Presidentit kërkojnë 84 vota. “Fryma e Kushtetutës është e qartë: Presidenti përfaqëson… unitetin e popullit! Tri raunde votimi, që kërkojnë
3/5-at e votave të deputetëve, materializojnë këtë frymë të Kushtetutës! President të Republikës, jo President të partisë! President që përfaqëson unitetin e popullit, jo unitetin e partisë! ”

Alibeaj: Presidenti me 71 vota
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha në një prononcim për mediat se nëse opozita do ta bojkotojë procesin, Presidenti do të zgjidhet në raundin e katërt me 71 vota. “Do të kryhet raundi i parë, do të kryhet raundi i dytë, nëse përsëri do të bojkotojnë, do të kryhet edhe i treti, në raundin e katërt Shqipëria do të ketë Presidentin”, pohoi Alibeaj. Ai ka lëshuar akuza ndaj Presidentit Bamir Topi, duke e cilësuar emërimin e tij si një “gabim” që duhet ndrequr. “Të mos jetë një figurë presidenciale që vetëm hesht. Duhet të jetë një figurë, e cila të korrigjojë të gjitha ato defekte që figura presidenciale aktuale ka lënë. Të dijë të instalojë frymën e zbatimit të ligjit në sistemin e Drejtësisë. Të jetë figurë politike e cila, në rastet kur të ketë ngricë politike parlamentare, të dijë të ndërhyjë dhe të gjejë konsensusin”, theksoi Alibeaj.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura