
Prej ditësh, Pepe Romano endet e maileve të gazetarëve dhe dashamirëve të teatrit.
Është lajmëtari që po përhap lajmin se së shpejti në Teatrin e Metropolit do të ngjitet drama e Federiko Garsia Lorkës, “Shtëpia e Bernarda Albës”. Prej 1 muaji e gjysmë, regjisori Kiço Londo dhe një kast i zgjedhur aktorësh po punon për veprën. Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Adriana Tolka, Esela Pysqyli, Taulanta Jupi, Mirela Naska etj, do të sjellin dramën e Bernarda Albës, që me duart e veta e çon shtëpinë e saj drejt zisë së përjetshme. Londo na zbulon disa nga elementet e shfaqjes…
Gjithmonë ka një shtysë të brendshme ose të jashtme që një regjisor të vërë në skenë një vepër, juve ç’ju shtyu në “oborret” e Bernarda Albës?
Në një vend ku mungon liria, ku dhuna është bërë mënyrë jetese, ku shoqëria demonstron një strukturë të deformuar të marrëdhënieve erotike dhe seksuale, një artist kërkon të thotë fjalën e vet dhe gjëja e parë që bën, thërret në ndihmë një autor dhe një vepër që i rrok këto probleme. Kur liria mungon, mendoj që një regjisor duhet të komunikojë me Lorkën, të bindë veten dhe të tjerët që është momenti i Lorkës, i “Shtëpisë së Bernarda Albës”.
Kjo vepër është ngjitur edhe më parë në skenë, cila është optika juaj?
Plot 50 vjet më parë, “Bernarda Alba” është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisorja e njohur e historisë së teatrit shqiptar, Zina Andri, me protagoniste Marie Logorecin dhe me shumë aktore të tjera, si: Violeta Manushi, Drita Pelinku, që më vonë u bënë figura të shquara të skenës dhe ekranit. Pastaj është vendosur gjatë kohës kur isha student nga pedagogu im Gëzim Kame, me protagoniste Justina Aliajn, më pas nga Mehmet Xhelili në Akademinë e Arteve dhe vjet ka qenë pjesë e Festivalit të Regjisorëve të Rinj dhe sivjet në Teatrin e Metropolit. Sigurisht që do të vijë në një optikë të re me aktore që nuk e kanë luajtur më përpara atë. Në rolin e Bernarda Albës vjen aktorja Luiza Xhuvani. Në ekip do të jetë një aktore shumë e dashur për publikun dhe për mua, Roza Anagnosti, me të cilën kam fatin të punoj për herë të parë, por edhe aktore me të cilat kam punuar, si: Adriana Tolka, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli, por edhe aktore të reja. Tashmë ne mbarojmë fazën e punës në tavolinë e fillojmë fazën e mizanskenës, në studio. Do të sjellim një shfaqje ku në qendër janë tema të mëdha, si tema e lirisë, dhunës, shtypjes seksuale, e rolit të gruas, por ajo që më ka shqetësuar më shumë, janë mëkatet e kulturës dhe fakti që në shoqërinë tonë nuk bën përshtypje asgjë, nuk ndodh asgjë e re, duket sikur të gjitha kanë ndodhur më parë. Shoqëria nuk reagon sepse është e ndrydhur, i është nënshtruar mentalitetit të të shtypurit dhe, si pasojë, një shoqëri e tillë është gjithnjë në dekadencë, në rënie dhe unë mendoj që një mënyrë e tillë jetese është tragjike dhe kjo përkon shumë mirë me tragjizmin e veprës së Lorkës, me fundin e saj.
Sa do të përcillet në vepër edhe vetë Lorka, jeta e tij e dyzuar? Shfaqja në të tërën do të tingëllojë si një poezi sensuale, do të jetë tërësisht simbolike. Ndihet pa dyshim individualiteti i autorit. Ndihet që ai është poet, muzikant, piktor, dramaturg dhe një njeri që ka pasur një jetë të dyfishtë. Ka qenë një biseksual, është shoqëruar me meshkuj dhe me femra. Të gjitha këto do të jenë pjesë e veprës, sepse në fund të fundit, shtypja e femrës është shtypja e vetë feminilitetit të Lorkës, i cili nuk kishte mundësi ta bërtiste këtë gjë, sepse shoqëria spanjolle e viteve ’30 ka qenë tërësisht konservatore dhe, për pasojë, e ka shkarkuar të gjithë këtë në vepër. “Bernarda Alba” është një vepër me karakter sensual. Në qendër janë 5 vajza që kërkojnë marrëdhënien me mashkullin, që duan të vrasin nënën, të ikin nga shtëpia dhe nga ana tjetër është një femër, nëna, që e ka njohur mashkullin, madje ka pasur dy burra, ka lindur 5 herë. Për të ruajtur “nderin e familjes”, që është një tjetër temë e shfaqjes sonë, i mban vajzat të mbyllura nën kontroll dhe duke i ruajtur nga meshkujt dhe ajo çka ndodh jashtë shtëpisë, gradualisht shndërrohet nga një femër në një mashkull. Shfaqja do të mbyllet me një këngë, ku Bernarda që do të dirigjojë gjithë shtëpinë, bën rolin e dirigjentit dhe nga dirigjent përfundon në një polic trafiku në një trafik bosh, ku nuk kalon asgjë, ku nuk ndizet asnjë semafor. Bernarda përfundon në një njeri bosh, jeta e së cilës nuk ka asnjë kuptim.
Megjithatë motori i gjithë ngjarjes është një mashkull, apo jo?
Po, është e vërtetë që një mashkull i quajtur Pepe Romano lëviz gjithë veprimin dramatik. Ai shkon me më shumë se një motër dhe adhurohet nga më shumë se dy motra, pra janë disa femra që e adhurojnë, që duan të ikin me të, ndërsa ai ruan qetësinë, duke shijuar atë që është më e mirë edhe më e athët nga të pesta motrat. Por kjo mënyrë e zhvillimit të aksionit nga ajo që ndodh në skenë dhe nga ajo që na vjen nga jashtë skene, çon në tragjizëm. Më e mira, më e bukura, duke kujtuar se e ëma ia ka vrarë të dashurin me çifte, vetëvaret. Është një vepër e vendosur bukur në raportet e ngjeshura mes lirisë, dhunës, shtypjes seksuale. Një trekëndësh shumë i fortë ku do të qëndrojë shfaqja jonë.
Kur përmendet “Bernarda Alba” në mendje të vjen Spanja, sa spanjolle do të jetë vepra?
Nuk do të jetë një gjë thellësisht spanjolle, do të ketë shumë ritëm, shumë dinamikë, por shfaqja nuk do të vendoset në një ambient spanjoll, por në një komunitet, ku nuk ndodh asgjë dhe i gjithë ky mosveprim çon në tragjedi, sepse dëshira e brendshme e këtyre vajzave dhe e njeriut në përgjithësi është të jetojë e të krijojë personalitetin e vet. Kur kjo dëshirë shtypet, atëherë finalja është tragjike. Shfaqja do ta ketë vendin e veprimit jo brenda një shtëpie, por përkundrazi, nuk do të ketë mure, ambiente të mbyllura shtëpie, por i gjithë veprimi zhvillohet në një kopsht, ku në mes është një shatërvan i rrethuar nga lule kacavjerrëse që nuk lënë të shohësh e të shihesh nga jashtë. Dhe janë 5 vajza që vazhdimisht sjellin ujë, që është simbol i jetës, i pasionit dhe, nga ana tjetër, një element që shuan pasionin. Erotizmi do të ndihet shumë, por e gjithë kjo brenda një kornize poetike, një marrëdhënieje serioze, pa abuzime, sforcime, por përmes një mjeshtërie të lartë të aktoreve dhe përmes elegancës së trajtimit regjisorial, ndihmuar shumë nga kostumet e pedagoges së skenografisë në Akademinë e Arteve, Berina Kokona, që do të ndërrohen disa herë, nga muzika, që endet nga violonçela te kitarat.
Si është Bernarda juaj?
Nuk do të jetë një Bernardë autoritare, por më shumë frikacake. Frika e saj vjen nga fakti që nderi i familjes duhet ruajtur, rregullat e fesë kristiane duhen zbatuar, martesa, zija etj. Kemi një Bernardë shumë të kujdesshme, të ndjeshme, që vendos raportet me lirinë, duke menduar që liria është brenda dhe jo jashtë mureve të shtëpisë, nga ku vijnë gjithmonë lajme të kobshme për sjelljet e meshkujve dhe femrave, që cenojnë nderin e familjes. Është një Bernardë që nuk bërtet, shumë simpatike, ashtu si edhe të 5 vajzat e saj. Nuk do të kemi shëmti fizike, si gunga, rrudhje. Janë 5 vajza të bukura, që janë zgjedhur kështu për të treguar dramën e tyre të brendshme, pa i kuruar me elemente të jashtme, që duket sikur e ndihmojnë shfaqjen, por nuk është ashtu. Në raport me shfaqjet e mëparshme, kësaj here ka një element më shumë, që është shkurtuar më parë. Është roli i nënës, një personazh shumë simpatik, që shfaqet dy herë. Ajo është një e çmendur, e izoluar, që thotë gjëra të vërteta dhe shumë të mëdha. Është preferuar që të luhet nga aktorja Roza Anagnosti, të cilën e falënderoj që pranoi ofertën, pasi roli është i vogël. Por do të jetë një rol që do të mbahet mend gjatë.
Si është të punosh me një trupë të përbërë vetëm nga femra?
Kemi një muaj e gjysmë që punojmë. Është bukur të punosh me femra, por është edhe më bukur të punosh me femra të talentuara dhe në këtë rast unë kam dy avantazhe, kam talentin e tyre dhe kënaqësinë që ato sjellin me punë. Natyrisht duhet shumë tolerancë, për të poseduar energjinë e femrës dhe sidomos energjinë e femrës artiste. Duket si një shmangie, pasi kam thënë që do të punoj vetëm me aktorë të rinj, por do të shihni një Roza Anagnosti apo Luiza Xhuvani shumë të re dhe energjike.
ALMA MILE
© Panorama.al











