Në Britani e kanë quajtur si dita me dyndjen më të madhe nëpër dyqane në histori. Blerësit kanë pritur nëpër dyert e dyqaneve derisa ato të hapeshin për uljet masive të çmimeve në ditën e pagëzuar si “Dita e Kutive”. Në disa qendra tregtare ka pasur edhe ngecje të ashensorëve, pasi kapaciteti i tyre ishte tejkaluar. Me gjithë motin e ftohtë, mbi 2000 njerëz ishin rreshtuar në dyqanet e “Oxford Street” para se ato të hapeshin, dhe mbi 250 roja sigurie dhe policë ishin detyruar të dilnin në rrugë për të ruajtur sigurinë. Në orën e parë pas hapjes së dyerve, dje dyqanet në Londër e deklaruan atë si orën e shitjeve më të mëdha në histori, duke thyer rekord në të gjithë Anglinë. Dyndja ishte më se e justifikuar, pasi uljet e çmimeve shënonin deri në 80 për qind të veshjeve.











