Një nga temat me të diskutuara këto ditë është pozicionimi i ardhshëm i forcave të reja, si Aleanca Kuqezi në zgjedhjet e ardhshme. Deklarimet e fundit të AK-së dhe editoriali i Kreshnik Spahiut se nuk do të bëjë aleancë as me Partinë Demokratike, as me atë Partinë Socialiste, duket se kanë pështjelluar një grup të konsiderueshëm analistësh. Disa e gjykonin këtë lëvizje si simptomë e një politike të vjetër (!), të tjerë shqetësoheshin se kjo do t’i shërbente qoftë edhe pa dashje Berishës, ndërsa të tjerë syresh shprehnin dyshime objektive mbi realizueshmërinë e pritshmërive elektorale jashtë koalicioneve të mëdha. Jam i mendimit se vendimi për të mos bërë aleancë me asnjërën nga forcat e sistemit është një vendim i drejtë, kurajoz dhe në rastin e AK-së do të thosha i detyruar nga kredoja e saj politike. Në vëzhgimin e ngushtë të politikës aktuale, loja e aleancave është vendimtare për të përcaktuar fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve. Mirëpo, si forcë kombëtariste, AK-ja synon të zëvendësojë politikën e tanishme me një politikë me ngjyra kombëtare. Kësisoj, roli i saj opozitar nuk mund të mos jetë me fushëpamje të gjerë të kuadrit kombëtar. Si pasojë, me këtë deklarim AK-ja kërkon qartazi e pa mëdyshje rrëzimin e qeverisë aktuale, por jo rrotacionin brendapërbrenda llojit. Pra, AK-ja e vendos veten përballë parisë aktuale dhe kërkon votën e shqiptarëve për të ngritur një sistem të ri. Mendoj se kjo është jo vetëm rruga e duhur, por rruga e vetme për të realizuar premtimin e saj zgjedhor, Shqipëria bëhet. Më poshtë do të shtjelloj disa arsye të prekshme mbi të cilat mbështetet ky gjykim. Së pari, tashmë është e pranuar nga një shumicë analistësh se tranzicioni ka prodhuar një regjim politik oligarkik, me ekonomi të kontrolluar nga një grusht plutokratësh, të cilët kanë burim pasurimi vjedhjen e shtetit në bashkëpunim me grupe oligarkësh me lidhje politike. Simbioza mes tyre është bërë gjithnjë e më e dallueshme dhe e pakapërcyeshme gjatë qeverisjes “Berisha”. Si pasojë, dallimet mes grupeve që përballen për pushtetin nuk janë ideologjike, por të përkatësisë së grupit. Ata që dje ishin Klani i Zemunit janë sot biznesmenët e pushtetit, të korruptuarit e djeshëm janë kthyer në aleatë të sotëm. Aleancat në këtë mjedis kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë thjesht për qëllime pragmatike pushteti. Këto lloje aleancash janë logjike në një sistem të tillë sepse arsyetimi i vetëm që i shtyn kryetarët e partive në lojë është përfitimi personal. Në këtë kontekst, një aleancë e AK-së me cilëndo nga partitë sunduese të sistemit do të ishte njollë e panevojshme dhe kundërprodhuese për qëllimet e saj. Së dyti, boshti kryesor ideologjik i AKsë është bashkimi kombëtar. Ky pozicionim i qartë e pa mëdyshje e vendos atë automatikisht (edhe sikur të mos qëndronte hipoteza e aleancave e shtjelluar më sipër) në kundërshti me të gjitha forcat që nuk e pranojnë bashkimin. Duke qenë se PD-ja dhe PS-ja janë shprehur në unison kundër bashkimit, në rast aleance me secilën prej tyre AK-së do t’i duhej të sakrifikonte të pasakrifikueshmen. Pra kërkesa për t’iu bashkuar njërës palë është një kundërshti logjike. Në fund, por jo për nga rëndësia, a janë të realizueshme me vota premtimet për nxjerrje në pension të Berishës dhe mbajtje të Ramës në opozitë? Duhet pranuar që kjo është pika më e fortë e kritikëve për shkak se realiteti politik shqiptar egërsohet në mënyrë eksponenciale në procesin e votimeve, dhe kjo do të jetë përballja e parë e AK-së me zgjedhjet. Mendoj se gjykimi mbi këtë pikë duhet ndarë më dysh. Në njërën anë duhet marrë parasysh hipoteza që entuziazmi i mitingjeve nuk do të përkthehet në votë reale. Gjykoj që ka pak shanse që kjo të ndodhë për shkak të zhgënjimit masiv popullor me politikën aktuale dhe afërsisë natyrale të shumicës së qytetarëve me ideologjinë kombëtariste. Më anë tjetër, është lehtësisht e parashikueshme që do të ketë një marrëveshje të heshtur midis PDPS- së për ta tjetërsuar rezultatin në disfavor të AK-së. Mirëpo besoj se edhe në rastin më të keq, d.m.th. nëse nuk do t’i mjaftojnë realisht votat për të qeverisur vetëm, AK-ja do të ketë thyer duopopolin zgjedhor të partive të mëdha. Më tej, kapitali moral i fituar do t’i mundësonte një legjitimitet të paarritshëm nga politika e sotme pragmatiste. Kësisoj, ajo do të ishte në pozicion tepër të lakmueshëm pas zgjedhjeve, të ngjashëm me atë të Vetëvendosjes. Për ta përfunduar, lumi i kritikave të derdhura mbi partitë e reja mbi vendimin për të mos bërë aleancë me boshtin PD-PS është i gabuar, në disa raste tendencioz dhe i nisur nga një fushëpamje e ngushtë. Fillimi i ri nuk mund të ketë si pikënisje stacionet e vjetra të kulisave të tranzicionit. Ndaj dhe vija e hequr në rërë nga AK-ja e fut politikën shqiptare në një hulli të re, e cila ka potencialin ta realizojë ndryshimin real. Ndonëse shumë ujëra do të rrjedhin deri në zgjedhjet e vitit 2013, tashmë është e qartë se produkti që do dalë nga to nuk do të jetë i njëjtë me njëzet vitet e tranzicionit.
© Panorama.al












