VIDEO- Homazhet në ndër të Fatos Nanos, arkmorti me trupin e pajetë të ish-kryeministrit në Pallatin e Kongreseve! E pranishme Xhoana Nano dhe familjarë të tij

Nov 2, 2025 | 8:23

Ka nisur ceremonia shtetërore e homazheve në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të pas viteve ’90.

homazhet per fatos nanon

Arkmorti me trupin e pajetë të ish-kreut të qeverisë ka mbërritur mëngjesin e sotme në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e lamtumirës.

Në hollin e Pallatit të Kongreseve janë të pranishëm familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, të afërm dhe miq të ngushtë të familjes.

Homazhet do të vijojnë gjatë paradites, ku qytetarë, miq dhe përfaqësues të institucioneve do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën e fundit një prej themeluesve të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit që ka lënë gjurmë në tranzicionin politik të vendit.

Ceremonia funebre do të pasohet nga një shërbim zyrtar në prani të autoriteteve të larta të shtetit dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi do të përcjellë trupin e të ndjerit drejt banesës së fundit, në një ceremoni private familjare.

xhoana nano

Kush ishte Fatos Nano

Në vitin 1991 Fatos Nano filloi karrierën e tij politike pasi u zgjodh si Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri

Në zgjedhjet që u mbajtën më 31 mars 1991, të cilat u fituan nga Partia Socialiste, ai u caktua përsëri si Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen.

Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga Presidenti Sali Berisha.

Në 1997 Nano u liruar nga burgu pas trazirave të kryera në atë kohë, kur falimentuan firmat piramidale që shkaktuan një kryengritje të armatosur kundër Presidentit Sali Berisha.

Në fund të vitit 1997 u zhvilluan dhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat u fituan nga PS, ai u caktua si Kryeministër dhe dha dorëheqjen pas trazirave të ndodhura për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit.

Në korrik të vitit 2001, PS fitoi zgjedhjet dhe Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002.

Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe mazhorancën në parlament. Pas humbjes së zgjedhjeve, më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.

Më 8 korrik 2007 ai u fut në garën presidenciale në një përpjekje për të zëvendësuar Alfred Moisiun.

 

© Panorama.al

Te lidhura