Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, J. D. Vance, tha se pret që Irani të mos vendosë taksa në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa theksoi se Teherani nuk do të marrë një pjesë të aseteve të tij të ngrira në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës.
“Ngushtica është tashmë pjesërisht e hapur, siç e dini”, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump së bashku me homologun e tij francez Emmanuel Macron nga Evian, ku po zhvillohet samiti i G7, një ditë pas njoftimit të një marrëveshjeje kornizë midis SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës.
“Të premten do të jetë plotësisht e hapur”, theksoi ai.
Nga ana e tij, Vance i tha CNBC se SHBA-të presin që Irani të mos vendosë taksa në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse diplomacia iraniane ka folur për “tarifa” për shërbimet detare.
I pyetur nëse Ngushtica e Hormuzit do të rihapë trafikun pa pagesë gjatë negociatave 60-ditore, Vance tha: “Pritja jonë është që Ngushtica të hapë trafikun pa pagesë në planin afatgjatë. Ne do të diskutojmë këto lloj çështjesh në këto negociata teknike.”
Memorandumi i mirëkuptimit SHBA-Iran është “një faqe e gjysmë i gjatë”.
Zëvendëspresidenti amerikan pritet në Zvicër të premten për ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit SHBA-Iran.
Megjithatë, memorandumi është nënshkruar tashmë elektronikisht nga Trump dhe Vance nga pala amerikane dhe kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bayer Ghalibaf, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
“Presidenti donte ta nënshkruante personalisht sepse donte të tregonte angazhimin e tij për të gjetur një zgjidhje të favorshme”, i tha zyrtari shtypit, duke folur në kushte anonimiteti.
Vance pranoi se marrëveshja kornizë i lë çështjet më të diskutueshme, veçanërisht programin bërthamor të Iranit, për diskutim të mëvonshëm.
Dokumenti është rreth “një faqe e gjysmë” i gjatë dhe “shumë i përgjithshëm”, tha ai për CNN. Trump, nga ana e tij, shpjegoi se teksti do të publikohet “ndoshta së shpejti”. “Do të thoja diku pas të premtes”, shtoi ai.
Në një intervistë me ABC News, zëvendëspresidenti amerikan tha se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit nuk do të lirojë asetet e ngrira iraniane. Vance shtoi se marrëveshja paraprake u nënshkrua elektronikisht të dielën dhe nuk u lirua asnjë asete.
© Panorama.al













