Deputetja Marjana Koçeku, e cila dy ditë më parë deklaroi largimin nga Partia Socialiste dhe u reshtua si ligjvënse e pavarur ka reaguar sërish, duke iu përgjigjur të gjithë kritikëve.
Më anë të një postimi në Facebook “neomalësorja” thotë se nuk ua ka marrë askujt mandatin e deputetit, por thekson se për “10 muaj resht ia kanë marrë asaj”.
Ajo sfidon qeverinë duke i kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, për të matur forcat se kush fiton.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkruan deputetja.
Deklarimi si deputete e pavarur u bë nga vetë ajo dy ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”, shkroi ajo një ditë më parë teksa njoftoi largimin nga PS.
Po ashtu, më herët gjatë ditës së djeshme, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe edhe si “Neomalësorja” ka postuar në rrjete sociale një foto të një flamingoje, duke shprehur kështu mbështetjen ndaj protestave masive për largimin e Ramës, që kanë marrë emrin “Revolucioni Flamingu”.
© Panorama.al













