Shiti për prostitucion gruan e tij tek mbi 100 burra, dënohet me burg suedezi “Peliko”, ndëshkime edhe për 28 klientë!

Jun 16, 2026 | 13:34

Një gjykatë suedeze dënoi një 61-vjeçar me katër vjet e pesë muaj burg, për shitjen “pa mëshirë” të gruas së tij për t’u prostituuar te më shumë se 100 burra.

suedi

I pandehuri u shpall fajtor për “prostitucion të rënduar”, si dhe për tentativë përdhunimi, sulm dhe kërcënime për ngjarje që shtrihen në më shumë se tre vjet, tha gjykata në një deklaratë në lidhje me rastin që ka tronditur Suedinë.

Gjykata “arriti në përfundimin se burri e kishte nxitur gruan të merrej me prostitucion dhe ishte personi përgjegjës për pjesën më të madhe të menaxhimit të këtij aktiviteti”, shtoi deklarata.

“Paditësi (gruaja) u shfrytëzua pa mëshirë”, theksoi gjykata.

Gjatë hetimit u identifikuan rreth 120 klientë, nga të cilët 29 u ndoqën penalisht dhe 28 u dënuan, dy prej të cilëve me burgim pa lirim me kusht.

Prokurorja Ida Anerstedt i kishte thënë AFP-së në fillim të gjyqit në prill se gruaja kishte “frikë të thellë” nga burri i saj.

I pandehuri i kishte kërkuar gruas së tij të mos e zemëronte, sepse përndryshe “bisha do të lirohej”, kishte thënë prokurori gjatë gjyqit.

“Ne kemi dokumentuar se burri ndikoi dhe e shtyu gruan e tij të kryente akte seksuale me veten, t’i shpërndante ato në internet, të pranonte klientë të tjerë seksualë dhe të përpiqej të bindte fqinjët dhe klientët të kishin marrëdhënie seksuale me të. Në raste të shumta, kjo ndodhi pas kërkesave të vazhdueshme dhe fjalëve përçmuese”, tha gjykatësi Johan Alberg, sipas deklaratës.

“Përkundrazi, ne nuk kemi dokumentuar se pjesëmarrja e saj ishte e pavullnetshme, bazuar në bisedat e paraqitura si prova dhe në mungesë të dëshmive rreth ngjarjeve që u gjykuan”, shtoi ai.

Gjykata nuk e dënoi burrin për përdhunim, pasi nuk mundi të provonte detyrimin.

Janë bërë krahasime midis këtij rasti dhe rastit të Dominique Pélicot në Francë, i cili u dënua në dhjetor 2024 me 20 vjet burg për drogimin e gruas së tij, Giselle, nga viti 2011 deri në vitin 2020, me qëllim që t’ia dorëzonte atë dhjetëra të huajve që e përdhunuan në shtëpinë e tyre në Mazan, në jug të Francës.

© Panorama.al

Te lidhura