Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi së bashku me deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku ishin në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku zhvilluan një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister.
Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se po ndjekin diskutimet për Shqipërinë në PE, ndërsa thekson se e falenderuan McAllister për misionin faktmbledhës në Tiranë dhe raportin e Komisionit të Jashtëm mbi situatën në Shqipëri.
Bardhi shprehet se ndërkohë që Komisioni i Jashtëm ka shprehur vullnetin e palëkundur për të mbështetur integrimin, evidentohen qartë problemet dhe çështjet që Shqipëria duhet të adresojë.
“Me mikun e Shqipërisë, Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, një nga mbështetësit më të palëkundur të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Së bashku me kolegët Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj po ndjekim diskutimet për Shqipërinë në Parlamentin Europian. E falenderuam Kryetarin McAllister për misionin faktmbledhës në Tiranë dhe raportin e Komisionit të Jashtëm mbi situatën në Shqipëri, ku ndërkohë që shprehet vullneti i palëkundur për të mbështetur integrimin, evidentohen qartë problemet dhe çështjet që Shqipëria duhet të adresojë.
Siç thuhet edhe në raportin e Parlamentit Europian, integrimi kërkon reforma reale, institucione të forta, zgjedhje të lira e të ndershme, dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Bardhi.
© Panorama.al












