DODË PRENGA
Si çdo anë tjetër e jetës së organizuar sociale, zgjedhjet vetëperformohen duke mos shmangur dot plotësisht mosekuilibrat. Edhe pse zgjedhjet tona i shfaqin problemet në administrim, element shumë i rëndësishëm është mënyra e konkludimit të tyre, pra sistemi dhe formulat e përkthimit të votës në mandate. Ky faktor themeltar tensionon administrimin nëpërmjet mekanizmave politikë me ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e gjithëpranuara demokratike. Kështu, në klasifikimet e indeksit të demokracisë edhe për 2010-n ne jemi në zonën “sisteme hibride” dhe ndërkohë studime teknike të detajuara tregojnë se sjellja e votuesit shqiptar është shumë e afërt me atë të votuesve në vendet demokratike. Kjo do të thotë se produktet tona elektorale janë atëherë shkaku, d.m.th. të zgjedhurit nuk i përfaqësojnë mirë votuesit, pra duhet filluar nga zgjidhja e këtij problemi nëpërmjet rregullimit substancial të skemës së mandatimit.
Ne i kemi provuar disa nga tipat kryesorë të mandatimit (d.m.th. zgjedhore) dhe aktualisht në Kushtetutë kemi të sanksionuar sistemin proporcional rajonal, që është një optimum i kënaqshëm me parimet dhe një sërë faktorësh socio-politikë. Ky sistem mund të organizohet në disa formula sipas ligjit zgjedhor. Në ligjin 10019 (Kodi aktual Zgjedhor) janë sanksionuar se listat e kandidatëve janë të renditura nga subjekti konkurrues dhe subjektet konkurruese mund të jenë partitë dhe koalicionet (plus të pavarurit). Ndër inspirimet legale kryesore të kalimit nga një sistem maxhoritar i korrektuar (100:40) në proporcional rajonal ka qenë ulja e konfliktualitetit në zgjedhje dhe lehtësimi i administrimit të tyre. Janë sjellë argumente të opinionistikës politike se kjo është bërë edhe për rregullimin e disiplinës politike, d.m.th. reduktimin e lëvizjeve të të mandatuarve nga përfaqësimi, bile edhe reduktimi i korrupsionit elektoral si “blerja e votave”. Kësisoj është tentuar në një farë mënyre të rregullohet lidhja mandat-përfaqësim, pra është pranuar de facto se një problem i tillë ekziston dhe ka peshë! Më pas partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën se “janë krijuar deputetë sozi”, ndërsa mediat kanë iniciuar një debat për natyrën e kompozimit dhe renditjes në lista. Si rezultat, në epilog të zgjedhjeve 2009 rezultoi se në makroshkallë konfliktualiteti nuk u ul, d.m.th. qëllimi i përmirësimit administrativ nuk u plotësua. Më vonë janë kritikuar fenomene të spostimit të figurave qendrore të të dy krahëve, vendet e sigurta në lista u populluan nga individë të paspikatur dhe me kontribute të panjohura në forcat përkatëse. Produkti i zgjedhjeve është kritikuar si një parlament shumë më pak përfaqësues, thuajse pa “klas politik”. Qejfmbetjet brenda subjekteve janë komentuar si të rëndësishme dhe forca dispative të energjisë progresive, pra sistemi funksionoi edhe si dobësues i investimeve shumëvjeçare politike më shumë se absorbues i politikanëve të rinj. Disiplina politike brenda grupeve nuk u rrit aq sa pritej. Në këtë sens kritik kjo formulë nuk ka funksionuar mirë për përmirësime administrative dhe të produktit. Gjithashtu, qëllimi për të konkluduar në maxhorancë qeverisëse nuk u përmbush si duhet dhe sot vendi qeveriset nga një spektër që fillon në ekstremin e majtë dhe mbaron në atë të djathtin, duke i humbur nocionin politik-qeverisës. Qeverisjet politikisht gri për kushtet e tranzicionit socio-ekonomik si rregull janë për të kapërcyer krizat, dhe jo në sensin normal të zhvillimit, d.m.th. produkti i sistemit aktual vuan edhe në formën përfundimtare. Në këtë mënyrë rezulton se formulat e zgjedhura, përkatësisht: a) listat e renditura dhe b) formula për koalicionet parazgjedhore, nuk i përmbushën së paku disa nga qëllimet kryesore që ka një reformë zgjedhore. Për pasojë, duhet të investohet zgjidhja nisur nga kjo pikë. Parë në sensin analitik dhe nga përvoja të ngjashme të suksesshme, opsioni i a) listave të parenditura (ndryshe të hapura) shoqëruar me b) heqjen e koalicioneve si subjekt i veçantë konkurrues është mjaft më i përparuar dhe më demokratik dhe njëkohësisht shënon një skemë vetërregulluese që do të përmirësojë thelbësisht produktin dhe administrimin elektoral.
Listat e parenditura mundësojnë që votuesi të jetë i lirë të votojë politikisht ata që do dhe në ata që do, atë që e bind, duke përmirësuar përfaqësimin. Sikurse kemi shprehur më parë, formula me lista të parenditura (të hapura) në versionin më të thjeshtë funksionon kështu: në fletën e votimit janë të gjithë kandidatët sipas partive dhe zgjedhësi voton për njërin kandidat të subjektit që dëshiron. Kjo votë fillimisht i numërohet partisë përkatëse. Bazuar në këtë numërim, partisë i caktohet numri i vendeve që ka marrë në atë njësi zgjedhore. Pastaj partisë i bëhet renditja e kandidatëve sipas votave që secili kandidat ka marrë drejtpërdrejt, d.m.th. sipas votave që fillimisht u numëruan për partinë. Mandatin e marrin atëherë ata kandidatë që kanë grumbulluar më shumë vota nga elektorati. Kjo duket se është dhe fryma e Kushtetutës sonë, qartësuar pa ekuivok në nenin 1 dhe 2 të saj. Kjo formulë ka ndeshur në një oponencë të butë mediatike dhe natyrisht në një rezistencë të fortë politike. Është pëshpëritur se në votimet me lista të parenditura “kontrabandistët do të blejnë votat e popullit” etj., etj. Kjo është teknikisht e dëmshme dhe sociologjikisht në kundërshtim me zhvillimet dhe realitetet tona. Së pari, lexuesi duhet të jetë i qartësuar se edhe në këtë rast janë partitë që paraqesin listat, dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të funksiononte edhe tani me lista të ngurta. Për më tej, një i kamur problematik sipas supozimit, mund të kandidojë si i pavarur dhe askush nuk e pengon dot të paguajë dhe të blejë vota! Frika tjetër e pëshpëritur se mos biznesmenë të fuqishëm me investime mund të thithin preferencën e zgjedhësve është antidemokratike dhe areale në një vend që njeh në Kushtetutë dhe mbron me ligj ekonominë e tregut. Këto agnosticizma kanë një kundërshti të thjeshtë elementare: Ç’ndodhi me 2005-n? Kandidatë pa një dyshkë në xhep u votuan nga zgjedhësit përkundrejt shumë të kamurve. Kush i pengoi biznesmenët të hyjnë në Parlament më 2009-n? Vetëm kush nuk deshi! Edhe pa këto argumente, ky mendim do të rrëzohej si me origjinë proletare që nuk ka mbështetje në publik. Mbetet që edhe ana informale e mbrojtjes së listave të renditura nuk ka bazë dhe, për pasojë, aplikimi i listave të parenditura do të sillte një numër avantazhesh.
Së pari, votuesit do të votojnë politikanët aktivë dhe realë, dhe jo listat memece me kandidatë të panjohur. Produkti do të jetë një përfaqësim i politikës më të përshtatshme të kohës. Listat e renditura kanë një pasojë imediate edhe rifreskimin e hierarkive politike, një çështje mjaft delikate kjo. Sisteme të tilla sociale me topologji pemë – krijojnë nyje të forta lidhjesh që vështirë të freskohen me mekanizma të brendshëm, qoftë edhe me vullnet të mirë. Selektimi nga populli votues në një listë të propozuar nga selektimi i brendshëm politik shuan çdo aludim dhe bën përmirësimin e duhur: atë politikan që populli e do, do ta dojë edhe organizata e tij, atë që e populli e ngel në klasë, vështirë se ka ndonjë mbështetës që t’i rrijë pranë.
Së dyti, kjo do t’i shërbejë edhe çlirimit të lidershipit politik nga vështirësi subjektive për “sistemime në vende të arta”: mjafton të futesh në listë bazuar në kontribute apo principet që forca politike ka adaptuar dhe gjyqin ta bën vota e sovranit. Lidershipi nuk do të vuajë as nga strategjitë e ndërtimit të listës së renditur. Më 2009-n mund të jenë harxhuar argumente të pafundme për maksimizimin e votës duke sistemuar në lista, në vende të caktuara, personazhe me veti të caktuara, qoftë edhe nga krahët respektivë politikë! Fiksimet në lista krijojnë forca shtytëse elektorale më shumë se tërheqje të zgjedhësve jopolitike. Listat me vlera të spikatura jo vetëm maksimizojnë votat e subjektit, por evitojnë rrezikun e konkurrencës së pandershme mes kandidatëve të të njëjtit subjekt. Veprimi i drejtpërdrejtë i votuesit rrafshon edhe dallimet organizative ndërpartiake, pasi imponon parimin “votë për meritë”. Nëse sistemet e brendshme partiake janë të lira të organizohen jashtë parimit të meritës, përplasja me barrierën e pagabueshme të votës popullore do t’i detyrojë të gjitha forcat të harrojnë dinakëritë e brendshme dhe t’i kthehen konkurrencës së vlerave. Shpesh përplasjet politike burojnë nga divergjencat e mëdha në filozofitë e organizimeve partiake në të cilat shoqëria nuk ka mekanizma të drejtpërdrejtë kontrolli. Skema e listave të hapura shëron indirekt këtë plagë, pasi problemi sot nuk është se partitë vuajnë për individë me vlera të spikatura, por rezistenca e dinakërive ndaj tyre është e madhe, duke mos i lënë të shfaqen. Bile, listat e ngurta funksionojnë si eliminim faktik i tyre.
Së treti, listat e parenditura optimizojnë votën politike si përgjigje natyrale për cilësinë e qeverisjes apo opozitarizmit. Ky efekt vjen ngase kandidatët nuk kanë gjë të siguruar nga renditja, ata duhet të fitojnë besimin e votuesve që do të përfaqësojnë nëpërmjet vlerave individuale dhe politike. Në këtë mënyrë, edhe krijimi i maxhorancave është mjaft më i qartë dhe rrjedhojë e natyrshme e kompeticionit elektoral.
Listat e parendituara mund të klasifikohen si gjenerator i fuqishëm i demokracisë së brendshme dhe të jashtme politike në kushtet tona, si pikënisja e një procesi përshpejtues integrues dhe normimit të hierarkisë së vlerave në shoqëri. Ato do të mund të përmirësojnë cilësinë e politikëbërjes dhe në një kohë të shkurtër të zgjedhurit do të mund të përfaqësojnë denjësisht vlerat e zgjedhësve shqiptarë si europianë të shekullit të ri. Mund të thuhet pa ekuivok se listat e parenditura janë mekanizmi optimal edhe për t’u ndarë nga trashëgimitë negative të sistemit që lamë pas. Magjia e tyre qëndron në atë që popullit i jepet e drejta të zgjedhë dhe të përzgjedhë, dhe këtë gjë askush më mirë se ai vetë nuk mund ta bëjë.
*Ish-anëtar i KQZ











