Lista zyrtare: Universitetet, 27 647 fituesit sipas degëve. Pikët minimale për fituesit në çdo fakultet

Sep 18, 2012 | 11:00

Gazeta publikon tabelën e MASH. Pikët minimale për fituesit në çdo fakultet. Datat e regjistrimit.

I gjithë procesi do të kryhet online deri më 23 shtator.

Publikohet tabela me pikët e fituesit të fundit për 11 universitetet. Nis regjistrimi.

Shpallen fituesit në 11 universitetet publike të vendit. Lista paraprake e 27 647 studentëve që do të pranohen në ciklin e studimeve me kohë të plotë, do të hidhet sot në faqen zyrtare të MASH dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Janë bërë publike gjithashtu pikët e fituesit të fundit. Gazeta publikon të plotë listat me kodet ID për çdo kandidat. Tabela është e ndarë në 4 komponentë. Në të jepet numri i kuotave për secilin program studimi. Më pas ID personale e çdo maturanti, pikët në degën ku është shpallur fitues dhe numrin e preferencës. Me të gjetur emrin në këto lista, kandidatët do të nisin fazat e regjistrimit.
Për herë të parë këtë vit ky proces do të bëhet online. Pasi të kenë hedhur të dhënat në sistemin e AKP, në adresën e e-mail-it, fituesit i shkojnë emri i përdoruesit (username) dhe fjalëkalimi (password), me të cilat ai mund të futet në sistem. Në këtë adresë e-mail-i atij i shkojnë edhe mesazhet për zgjedhjen e statusit të regjistrimit, “i përkohshëm” apo “përfundimtar”. “Nëse statusi i studentit është i përkohshëm, do të thotë se ai është ende pjesë e garës dhe regjistrimin përfundimtar do ta bëjë vetëm pasi të jetë shpallur lista e dytë”, ka sqaruar kreu i AKP-së, Alfons Harizaj.
Kandidati fitues ka të drejtë të qëndrojë përfundimisht i regjistruar në programin e fituar në fazën e parë (listat paraprake), duke përzgjedhur opsionin “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Kur nuk arrin të realizojë regjistrimin online, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues, nga data 18 shtator 2012 deri më datë 23 shtator 2012.

(Listën e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura