Federata Shqiptare e Futbollit ka shpallur dje listën e Kombëtares për ndeshjen miqësore ndaj Azerbajxhanit, e cila do luhet më datë 11 nëntor në “Qemal Stafa”. Por më shumë se lista e lojtarëve, e cila edhe ajo përbën një lajm më vete se ka mjaft risi brenda saj, ajo që të bën përshtypje është se për herë të parë gjatë “epokës Duka” skuadra është grumbulluar për një ndeshje zyrtare pa pasur një trajner në krye të saj. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur që prej dekadash, por duke qenë se presidenti nuk ka mundur ende të gjejë zëvendësin e Josip Kuzhesë është parë e udhës që lista të përpilohej nga vetë nëpunësit e Federatës. Kështu bie në sy fakti se nga skuadra janë larguar në një farë mënyre të gjithë “senatorët”, hiq këtu vetëm Erjon Bogdanin. Nuk është më as Altin Lala, i cili faktikisht kishte pohuar se do vinte të luante ndaj Azerbajxhanit për t’i dhënë zyrtarisht lamtumirën fanellës kuqezi. Por si duket federata ose e ka harruar këtë detaj mjaft domethënës e të rëndësishëm për një ikonë të futbollit kuqezi, ose nuk kanë dashur ta marrin fare parasysh. Përveç Lalës, jashtë është lënë edhe Klodian Duro. Ky i fundit edhe pse aktivizohet rregullisht te Tirana, çuditërisht (themi çuditërisht se kur nuk kishte skuadër thirrej në Kombëtare dhe tani që aktivizohet rregullisht lihet jashtë saj, hajde kuptoje arsyen) nuk është grumbulluar për këtë ndeshje miqësore. Thuhet vetëm për këtë ndeshje, pasi lista, sipas publikimit, është vetëm për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit, ndërsa, ndoshta për ndeshjen e katër ditëve më pas ndaj Maqedonisë Federata do të mendojë për ndonjë listë tjetër. Sakaq, veç “përjashtimeve”, ka edhe rikthime, ku bie në sy Xhevair Sukaj. Sulmuesi shkodran është grumbulluar pas dy vitesh me kuqezinjtë, ndërsa është rikthyer edhe mesfushori durrsak i PAS Janina, Emiljan Vila.
Lista e Kombëtares
Portierë: Isli Hidi (AEL Limasol, Qipro), Orges Shehi (Skënderbeu).
Mbrojtës: Andi Lila (PAS Janina, Greqi), Kristi Vangjeli (Çernomorets, Ukrainë), Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë), Lorik Cana (Lacio, Itali), Debatik Curri (Genxherbiligi, Turqi), Franc Veliu (Flamurtari), Ansi Agolli (Karabak, Azerbajxhan), Admir Teli (Karabak, Azerbajxhan).
Mesfushorë: Ervin Bulku (AZAL Baku, Azerbajxhan) Emilian Vila (PAS Janina, Greqi), Sabian Lilaj (Lokomotiva Zagreb, Kroaci), Gilman Lika (Tirana), Jahmir Hyka (Luzern, Zvicër), Gjergji Muzaka (Skënderbeu), Odise Roshi (Këln, Gjermani), Elis Bakaj (Dinamo Bukuresht, Rumani).
Sulmues: Ahmed Januzi (Vorskla Poltava, Ukrainë), Erjon Bogdani (Çezena, Itali), Xhevahir Sukaj (Vllaznia), Hamdi Salihi (Rapid Vjenë, Austri).
Klemente, kandidat për pankinën kuqezi
Burime nga FSHF-ja pohojnë se në adresë të këtij institucioni ka ardhur një CV me emrin e trajnerit spanjoll, Havier Klemente. 61-vjeçari ka luajtur si sulmues te skuadra e Atletiko Bilbaos, ndërkohë që si trajner ka drejtuar skuadra me emër në Spanjë dhe Europë, si Espanjol, Atletik Bilbao, Atletiko Madrid, apo edhe Olimpik Marsejë. Kulmi i karrierës së tij si trajner ishte në vitet 1992-98 kur drejtoi Kombëtaren spanjolle, me të cilën fitoi 31 ndeshje radhazi pa pësuar humbje. Së fundmi, ai drejtoi përfaqësuesen e Kamerunit, nga e cila u shkarkua më 25 tetor të këtij viti për shkak se nuk arriti ta kualifikojë për në Kupën e Afrikës 2012. Gjithsesi, ende nuk dihet nëse do të ketë një takim mes presidentit Armand Duka dhe spanjollit Klemente për të vendosur të ardhmen e pankinës kuqezi. Fakt është se lista e kandidatëve është ende e gjatë dhe Duka nuk ka bërë akoma të qartë se cili prej tyre është më i mundshmi për të marrë drejtimin e ekipit tonë përfaqësues.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











