Qeveria miraton vendimin për zonat informale në të gjithë vendin. Tapi edhe për shtesat e pallateve para ‘93
Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme një vendim për kalimin e të drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për 1888 objekte informale. Gazeta publikon sot emrat e atyre që përfitojnë nga ky vendim, për të cilët nga ana e Agjencisë së Legalizimit do të vijohet me procedurat e përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor. Përgjithësisht ndërtimet informate, të cilat hyjnë në procesin e legalizimit, janë shtesa pa leje në objekte të para vitit 1993, shtesa në pallate të reja pas vitit 1993, por edhe objekte të veçanta. Sipas të dhënave nga ALUIZNI, ndërtimet informale të kaluara dje me vendimin e qeverisë shtrihen në 11 qarqe të vendit, duke filluar nga Tirana, Lezha, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Kukësi, Korça, Gjirokastra, Berati, por sakaq rezulton se ndërtimet që do të legalizohen nuk janë të shtrira vetëm brenda vijës së verdhë të qyteteve, por edhe në komuna. Nga ana e Agjencisë së Legalizimeve bëhet me dije se drejtoritë në të gjitha qarqet e vendit do të fillojnë punën për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me leje legalizimi. Pas përgatitjes së këtij dokumentacioni, nga ana e Agjencisë bëhet përllogarita e faturës financiare që duhet paguar për të përfituar lejen dhe, pas paraqitjes së vërtetimit bankar të pagesës, atëherë vijohet me procedurat e regjistrimit në hipotekë të ndërtimit. ALUIZNI bën me dije se aktualisht është duke punuar në gjithë strukturat e tij me dosjet e marra në dorëzim për të përfunduar procesin e legalizimit sipas afateve ligjore të përcaktuara.
Për të parë tabelat me listat e Aluiznit ju lutem klikoni këtu: PDF
NERTILA MAHO
© Panorama.al











