Lirohet 10 ditë pas dënimit me burg

Dec 5, 2011 | 13:07

Viktima: Alfred Musabelli

Albi Zela, i akuzuar për dëshmi të rreme për Kostandin Xhuvanin

Vetëm 10 ditë pasi është dënuar me 14 muaj burg për moskallëzim krimi, dëshmitari i vrasjes së kryer një vit më parë nga Kostandin Xhuvani është lënë i lirë nga gjykata e kryeqytetit. I njëjti gjyqtar që e shpalli fajtor për moskallëzim krimi dhe e dënoi me 14 muaj burg në gjykim të shkurtuar, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarit. Më 24 nëntor, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha, ka pranuar kërkesën e avokatit të Albi Zelës për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”. Gjykata deklaron se e ka pranuar kërkesën, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur nga i pandehuri Albi Shaban Zela është më e madhe se masa e dënimit të caktuar ndaj këtij të pandehuri me vendimin nr.1606, datë 14 nëntor 2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për rrjedhojë, trupi gjykues ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarit nga ambientet e paraburgimit, nëse i pandehuri nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër penale tjetër. Albi Zela ishte akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për moskallëzim krimi në lidhje me ngjarjen e ndodhur në banesën e tij më 12 shkurt 2011, kur shtetasi Kostandin Xhuvani qëlloi me pistoletë poshtë syrit të majtë në kokë shtetasin Alfred Musabelli. Gjykata është shprehur në lidhje me ngjarjen, se nga shqyrtimi gjyqësor u vërtetua plotësisht fakti se më datë 12 shkurt 2011, rreth mëngjesit, në banesën e të pandehurit Albi Zela, e ndodhur në rrugën “Ali Visha”, Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Alfred Musabelli. Sipas Gjykatës, vrasja është kryer prej shtetasit Kostandin Xhuvani, me të cilin ishte i shoqëruar i pandehuri Albi Zela. Gjykata thekson në vendimin e saj për dënimin e Xhuvanit, se menjëherë pas ngjarjes i pandehuri Albi Zela është larguar për  në drejtim të banesës së të afërmve të tij, duke mos kallëzuar  ne organet kompetente ngjarjen e ndodhur. Në vendim thuhet se ky përfundim i Gjykatës bazohet në deklarimet e vetë të pandehurit  Albi Zela, të nënës së tij Shpresa Zela, të pandehurit Kostandin Xhuvani, si dhe nga thëniet e shtetasit Pjerin Prenga. “Gjithashtu edhe në momentin e arrestimit shtetasi Albi Zela nuk  ka pohuar mekanizmin real të vërtetë të ngjarjes, duke u bërë pengesë për hetimin”, thekson gjykata në vendimin e saj të themelit, ku dënoi me dy vjet burg Kostandin Xhuvanin në gjykim të shkurtuar dhe po ashtu me 14 muaj burg Albi Zelën për akuzën e moskallëzimit të krimit.

Llogaritja
Sipas ligjeve shqiptare në fuqi, koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet ndryshe nga koha e mbajtjes së personave në burgjet e zakonshme. Për shkak të afateve, kushteve më të vështira që nga infrastruktura deri tek mbipopullimi, paraburgimi në vlerësimin gjyqësor llogaritet si një ditë e gjysmë burg. Për këtë shkak, Albi Zela, i arrestuar që në datën 12 shkurt 2011, është llogaritur se ka plotësuar dhe ka tejkaluar masën e dënimit prej 14 muajsh burg që ka dhënë gjykata, duke qenë se çdo ditë qëndrimi e tij në paraburgim është vlerësuar sa një ditë e gjysmë burg.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura