Lirimi nga burgu i vrasësit të Falcones, ish-ministri i Drejtësisë rikujton udhëtimin në Siçili në vitin 1998: Ishim me eskortën e Tinebras ku u qëllua me kallashnikov. Ishte sinjal…

Jun 5, 2025 | 20:41

Pas lirimit nga burgu Giovanni Brusca, ekzekutori të ish-prokurorit italian Giovanni Falcone, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, rikujton një udhëtim të rëndësishëm në Sicili në nëntor të vitit 1998, ku ai dhe një grup magjistratësh shqiptarë vizituan Prokurorinë Antimafia për të marrë eksperiencë në luftën kundër krimit të organizuar.

eduard halimi

Ky udhëtim erdhi pas arrestimit në atë kohë të Giovanni Brusca-s, një nga figurat më të njohura të mafias siciliane, i njohur si krah i djathtë i Toto Riinës dhe njeriu që kishte urdhëruar vrasjen e prokurorit legjendar Giovanni Falcone.

Halimi përshkruan momentet tensionuese kur eskorta e prokurorit antimafia Giovanni Tinebra u qëllua me armë në rrugën nga Sirakuza për në Palermo, një paralajmërim i qartë i mafias. Gjatë një darke private, Tinebra ndau me ta përvojat e tij të përballjes me krimin dhe ndikimin e lidhjeve kriminale me politikën, duke lënë një gjurmë të thellë në Halimin dhe kolegët e tij.

Më vonë, si ministër i Drejtësisë, Halimi ftoi Tinebran për t’u dekoruar, por ky i fundit refuzoi modestisht. Ai vdiq pak vite më vonë nga një sëmundje e rëndë, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme në luftën kundër mafias.

Për Eduard Halimin, Giovanni Tinebra mbetet një figurë frymëzuese që ka ndikuar thellë në jetën dhe karrierën e tij, duke i dhënë forcë për të vazhduar betejën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.


Shkrimi i Eduard Halimit: 

Një udhëtim që më ndryshoi përgjithmonë – kujtime nga Sicilia e vitit 1998
Teksa lexova lajmin për lirimin e G. Brusca më erdhi në mëndje kjo histori që doja ta ndaja me ju.
Ishte nëntori i vitit 1998, kur bashkë me një grup magjistratësh të brezit të parë të Shkolla e Magjistratures u nisëm drejt Sicilisë për të mësuar nga përvoja unike e prokurorisë antimafia, dhe ndërtuar më pas në Shqipëri Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda (e ngjashme me atë italiane) në një kohë të veçantë pak vite pas arrestimit dhe fillimit të pendesës së famshme të Giovanni Brusca – krahu i djathtë i Toto Riinës, njeriu që kishte shtypur butonin e bombës që vrau prokurorin legjendar Giovanni Falcone.
Operacionin për arrestimin e Brusca e kishte udhëhequr prokurori i jashtëzakonshëm kombëtar Antimafia Giovanni Tinebra – mik dhe shok zyre i Falcone-s, dhe më vonë pasuesi i tij.
Një mëngjes, teksa udhëtonim me të nga Sirakuza për në Palermo, për të ndjekur në Gjykatën e Asizit dëshmitë rrëqethëse të Brusca-s, në zonën e Caltanissetta-s u qëllua me kallashnikov mbi eskortën që shoqëronte. Për fat nuk pati pasoja, por ishte një sinjal i qartë i mafias për të!
Mbrëmjen e asaj dite, në një darkë të vogël, pothuajse private në një fermë të sigurt pranë Palermos, në një atmosferë të mbushur me tension në telefon mes tij dhe policisë së Caltanisetës që pretendonte për “gabim shenjestre”‘në episodin e mëngjesit, Tinebra foli gjatë. Nuk ishte më prokurori i hekurt, por një njeri që kishte zgjedhur të qëndrojë në vijën e parë të përballjes. Tregoi për veten, për Italinë, për Shqipërinë, për rrjetet kriminale, për drejtësinë lidhjet e tyre me politikën në Shqipëri dhe drejtues të lartë të organeve ligjzbatuese të kohës. Që nga ajo natë, diçka ndryshoi brenda meje. Nga ekipi ynë ishin shumë ata që u bënë gjyqtarë të nderuar dhe luftuan dhe luftojnë edhe sot pa kompromis krimin e organizuar. Dhe nëse disa kolegë më pyesin sot se pse vijoj të flas për grupet kriminale, për kontratën e politikës me krimin, operacionin “Vanilla”, SkyECC, etj burimi është shpesh ajo natë dhe G. Tinebra.
Vite më vonë, kur u bëra ministër drejtësie dhe ai në pension dhe profesor në Sirakuzë, e ftova për ta dekoruar nga Presidenti – së bashku me Prof. Cherif Bassiouni, babain e Gjykatës së Hagës. Ishte një mënyrë për të nderuar figurën e tij. Por Tinebra refuzoi, me modesti, duke zhvilluar me mua një bisedë të gjatë në telefon. I premtova se do shkoja ta takoja por nuk arrita. Pak vite më vonë u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Ai ishte njeriu që vuri në pranga G. Brusca dhe, përmes bashkëpunimit të tij, ndihmoi të shkatërroheshin strukturat më të përgjakshme të mafies siciliane.
Falë vizionit, guximit dhe përkushtimit të tij, Sicilia nisi të merrte frymë ndryshe. Për mua, ai mbetet një nga figurat më frymëzuese që kam njohur – jo vetëm si profesionist, por si njeri.
Ai ndikoi thellësisht në drejtimin e jetës sime!
© Panorama.al

Te lidhura