Inxhinierja e ndërtimit të shumë objekteve me rëndësi kombëtare, së cilës iu mohuan meritat për shkak të burgosjes së të shoqit, Ylli Alibali, i cilësuar si anëtar i grupit armiqësor të polakëve. Dashuria me ish-studentin e shkolluar në Poloni, i cili u nda për së gjalli nga bashkëshortja e parë polake dhe djali me emrin Petrit. Burgosja për 10 vite e të shoqit në burgun e Borshit e të Qafë Barit, zhvendosja nga pozicioni i inxhinieres në prodhim, shtrim pllakash dhe vendosje të tullave dhe pesha e rëndë e opinionit paragjykues. Çfarë e shtyu Liri Alibalin të ribashkonte të shoqin me familjen e parë dhe si është jeta sot mes gruas së parë polake, Petritit dhe Yllit
Lidhje fatkeqe dashurie, ndarje për së gjalli mes shqiptarëve dhe grave të tyre me kombësi të huaj, sidomos në vitet e trazuara të regjimit komunist, e të marrëdhënieve të acaruara diplomatike me shtetet e ish-bllokut socialist, historia na dëshmon plot! Por, ngjan se me të dëgjuarën e parë të historisë së jetës së Ylli Alibalit, ka ndonjë dorë mirëfilli regjisoriale o artistike. Ndarja e tij nga gruaja e parë polake dhe djali nëntë muajsh, për shkaqe krejt të sajuara dhe të pabaza e bën edhe më të dhimbshme dramaticitetin e një lidhjeje dashurie të ngjizur gjatë studimeve të larta në Poloni. Ardhja në Shqipëri e mjekut veteriner, martesa e dytë dhe lindja e dy vajzave, burgosja për 10 vite dhe përfundimi nga specialist në ministrinë e Ushqimit dhe Tregtisë në stallier, janë jo pak përvojë e hidhur për dikë që i ka kaluar në lëkurë. Pakkush e dinte se do të ishte pikërisht Liria, bashkëshortja e tij e cila do të bëhej shkak për rigjetjen e familjes së parë të të shoqit, pas plot 30 viteve. Mjaftoi një kartolinë urimi në adresën e vjetër të shtëpisë së Elisabeta Kulavik, dhe një përgjigje nga

motra e saj, me fjalinë e parë: “Ylli, mos vallë je ngritur nga varri” që të rivendoseshin urat e komunikimit mes tij dhe familjes së parë. Polakja e dinte të vdekur, ndërsa atij i kishin thënë se e shoqja ishte martuar në Amerikë. Ritakimi pas 30 vitesh do të ishte më tepër se emocionues, mallëngjyes është pak të thuhet! Sot, ata janë një familje e madhe. Ylli Alibali rigjeti të birin, ndërsa Petriti mësoi se ka dhe dy motra Pranverën dhe Ajkanën. Elisabeta nuk ishte martuar asnjëherë, ndërsa Ylli për të nuk kishte vdekur! Do të mjaftonte iniciativa e Lirisë, dhe një ironi e bukur e fatit që ata sot t’i gëzohen një familje të plotësuar dhe të madhe!
Zonja Liri, na tregoni pak për njohjen tuaj me Ylli Alibalin?
Njohja jonë ka qenë me shkuesi. Një person i afërt i familjes, u bë shkak që ne të dy të takoheshim. Ylli kishte studiuar në Poloni për pesë vjet, në degën mjekësi veterinare. Dhe duke qenë i shkolluar jashtë, e unë në vit të fundit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, besuam se kishte në mes shumë të përbashkëta që mund të na lidhnin përjetësisht. Kur u martuam unë isha 24 vjeçe, ndërsa ai plot 31. Kur u takuam për herë të parë, nuk mund ta mohoj simpatinë e menjëhershme që përjetova, sepse Ylli ishte vërtet një djalë i pashëm. Përpara, se unë të thosha fjalën time, më bën të ditur njerëzit e familjes se ai kishte qenë i martuar në Poloni dhe kishte një djalë me emrin Petrit.
Ju ende një vajzë e re… çfarë ju shtyu t’i thoshit “Po” një mashkulli që kishte një të kaluar, që diku kishte një grua dhe një djalë?
Unë nuk mund ta fsheh drojën e frikën që pata për këtë martesë. U përballa njëkohësisht edhe me kundërshtimin e vëllait tim të madh, i cili më mbajti qëndrim për një kohë të gjatë. Pyetja e parë që i bëra Yllit ishte se “Nëse një ditë gruaja polake bëhej e gjallë dhe shfaqej në jetën e tij, çfarë qëndrimi do të mbante? Ai mu përgjigj se ajo punë kishte marrë fund”. Kaq më mjaftoi për t’u bindur.
Çfarë ndjetë kur dëgjuat për herë të parë historinë e jetës së bashkëshortit tuaj?

Sot e kësaj dite ende e besoj si një histori të bukur dashurie, që ka shumë ndjenja të pleksura në të. Pas përfundimit të gjimnazit, Yllit i del e drejta e studimit për në Poloni, në degën e mjekësisë veterinare. Duket se fakulteti ku ai studionte ishte shumë pranë shtëpisë së Elisabetës, zonjës me të cilën u martua. Vështrimet e tyre ishin ndeshur shpesh nëpër rrugët e qytetit. Elisabeta është një grua vërtet e bukur. Shtatlartë, bionde me sy të mëdhenj bojë qielli. Janë njohur bashkë, janë dashuruar dhe nga martesa e tyre lindi djali i parë, të cilit i vunë një emër shqiptar, Petrit. Në periudhën kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me vendet e ish-kampit socialist, duhej që të gjithë shqiptarët të ktheheshin në vendin e tyre të lindjes. Kësisoj edhe Ylli duhet të largohej, duke lënë pas gruan dhe djalin me shpresën që një ditë do të bashkoheshin sërish, pa e ditur se në të vërtetë ata do të ndaheshin për së gjalli me njëri tjetrin. Vitet kaluan dhe në përpjekjet e vazhdueshme nga ana e Elisabetës në ambasadën shqiptare në Poloni, dhe nga ana e Yllit në ambasadat në Tiranë e deri tek një letër e shkruar në adresë të Enver Hoxhës, ku shprehej dëshira dhe nevoja për t’u ribashkuar me familjen e lënë pas, ndërhyn Sigurimi i Shtetit, duke dhënë versionet e tyre respektive. Yllit i thanë që Elisabeta është martuar për herë të dytë dhe jeton në Kanada bashkë me djalin, ndërsa gruas polake i ishte thënë që Yllin e kishin vrarë në një demonstratë që ish zhvilluar ato vite në Tiranë. Të dyja versionet ishin të pranueshme, dhe me çfarë më ka shprehur im shoq, ai nisi ta pranonte këtë histori si të vërtetë, duke mos pasur edhe asnjë kontakt me të shoqen polake dhe djalin, e duke humbur çdo gjurmë të tyre. Ylli jetoi për vite të tëra me shumë dhimbje në shpirt, e me një brengë që i shponte zemrën për vite të tëra, sidomos për atë krijesë të vogël me emrin Petrit, që e kish lënë pas krahëve vetëm nëntë muajsh.
Më pas jeta juaj do të tronditej sërish. Dita e arrestimit dhe burgosja për plot 10 vite. Si i përjetuat?

Kur Yllin e arrestuan, vajzat tona ishin në moshën shtatë dhe pesë vjeçare. Asokohe punonte specialist në Ministrinë e Tregtisë dhe Ushqimit, pozicion të cilin e kishte fituar pas kthimit nga studimet në Poloni, dhe pas eksperiencës si specialist veteriner në rrethin e Krujës, ku e kishin emëruar. Atë ditë, mars i vitit 1975 Ylli kishte marrë biçikletën dhe kish shkuar në punë, ndërsa unë do të shkoja ta merrja në drekë biçikletën në ministri për të vajtur në punë. Mbaj mend që ishte një ditë shumë e bukur, ditë e shtunë me diell. Shkoj në ministri për ta kërkuar dhe aty më thonë që ishte në takim pune. Kështu më tha shoku i vet dhe unë mora biçikletën me idenë që disa orë më vonë do të shiheshim në shtëpi. Ku e dija unë që atë ditë ai do të arrestohej! Ka qenë duke folur në telefon, i hyjnë disa njerëz të sigurimit dhe i thonë se “në emër të popullit ishte i arrestuar me akuzën e agjitacionit e propagandës dhe luftë kundër pushtetit popullor”. U etiketua si pjesë e “grupit polak”, grupi armiqësor i ish-studentëve të arsimuar në Poloni. Ndërkohë që kishin arrestuar tim shoq, në shtëpi erdhën një grup i madh njerëzish, të cilët nuk lanë gjë pa kthyer përmbys. Kërkonin materiale komprometues, në mënyrë që të kishin bazë ku të ngrinin akuzën e tyre. Mblodhën revista dhe literaturë polake dhe i futën në një valixhe, të cilën e fshehën pas televizorit që kishim në shtëpi. Frika jonë pas asaj dite ishte edhe më e madhe sepse mendonim se mos në atë valixhe na kishin vendosur ndonjë regjistrues, a përgjues. Që prej asaj dite unë, me vajzat Ajkanën dhe Pranverën, vjehrrin e vjehrrën merreshim vesh me shenja. Nuk na pipëtinte as zëri.
Ju thoni se nuk kishte asnjë arsye për ta arrestuar..?
Absolutisht po! Bëhet fjalë për vitet 1975, dhe në atë periudhë pati një valë të gjatë arrestimesh qoftë në rang njerëzish në popull, qoftë edhe në nivele drejtuesish, ushtri, e dikastere shtetërore. Lufta e klasave ishte vërtet e egër. Pushteti kishte nevojë për armiq, për të bërë sa më shumë arrestime, për të futur në palcë tronditjen dhe frikën në popull, në mënyrë që të gjithë t’i bindeshin pushtetit popullor. Në këtë kohë dolën në pah edhe të ashtuquajturat “grupet armiqësore të naftës”, “të ekonomisë”, “grupi polak” etj. Nuk ekzistonte asnjë akuzë e provuar, përveç pretendimeve të shthurjes së tyre ideologjike gjatë periudhës së studimeve në Poloni, e propagandë kundër pushtetit popullor. Nëntë muaj në hetuesi për Yllin kanë qenë një torturë dhe dhimbje edhe për ne familjarët. Shkoja ditët e para që t’i dërgoja veshmbathje dhe ushqime. Më pas nuk më lanë më ta shihja me sy. Nga muaji mars, në datë 14 nëntor të vitit 1975 është dhënë masa e sigurisë, në një gjyq me dyer të mbyllura, ku im shoq u dënua me 10 vjet heqje lirie. Pas kësaj, arrestuan dhe kunatin tim Xhevat Alibalin, një gazetar i suksesshëm dhe i njohur për kohën.
Si vijoi jeta juaj dhe e vajzave pas këtaj?

Agjë nuk ishte më e lehtë. Duhet të isha vet burrë e vet grua. Përveç rrogës sime si inxhiniere ndërtimi, rroga e bashkëshortit, dhe dy pensionet e luftës së vjehrrit dhe vjehrrës na i hoqi shteti. Edhe pse e arsimuar dhe me një profesion të mirë, nuk i harroj dot bukën me djathë dhe të mbështjellë në gazetë, të cilën e merrja çdo ditë me vete. Vajzat nisën të kërkonin të atin nëpër shtëpi, ndërsa unë e kisha të vështirë t’u shpjegoja mungesën e tij. Ato qanin dhe më pyesnin gati çdo ditë për Yllin, deri sa një ditë u thashë se “babai juaj ka sharë xhaxhin Enver”! Ato u shtangën dhe nisën të qanin se kjo nuk ishte e vërtetë, sepse xhaxhi Enver për to ishte ai burri i mirë në vjershat e mësuara përmendësh: “Xhaxhi Enver, e ke gojën me sheqer, me sheqer e me hurma, lum Partia që të ka”. Brerjet emocionale u bën edhe më të forta. Nisa t’i merrja të dyja vajzat me vete në takimet në burg. Nëntë vitet e para Ylli e kreu dënimin në Borsh, ndërsa vitin e fundit në Qafë Bari. Me dy vajzat e vogla me vete, me çantat e mbushur plot me rroba dhe ushqime, hipja nëpër trena, nëpër furgonë që të çonin afër zonës së burgut. Në temperatura përvëluese, në shi apo në dëborë, kjo pak rëndësi kishte. Nuk mund ta përshkruaj dot vuajtjen dhe dhimbjen që përjetova.
A kujtoni dot ndonjë episod nga takimet tuaja me Yllin në burg?
Përveç vuajtjeve, mund të kujtoj edhe një episod mbresëlënës. Gjatë kohës që shkoja atje në burg, kur ndodhte që ishin takimet për çiftet në dhomat e veçanta, qëndronim nëpër korridore për pak kohë. Unë dhe Ylli u miqësuam goxha me një emër të madh të muzikës, i ashtuquajtur legjendë e muzikës operistike, Luk Kaçaj. Një njeri i respektuar dhe shumë atdhetar, të cilin e kërkonte teatri “La Scala” si bariton dhe gëzonte reputacion artistik në atë vend, por që zgjodhi të zhvillonte artin e tij në Shqipëri pa e ditur se pushteti do e fundoste përfundimisht. Në takimet atje në burg, në vitin ‘78 ai na jepte shumë shpresë dhe betohej se me aprovimin e kushtetutës ata të burgosur do të liroheshin të gjithë. Mua më emociononte optimizmi i Lukës, ndërsa më therte zemra brenda vetes, sepse e dija të vërtetën që ziente jashtë atyre telave me gjemba dhe situatën që po kalonte vendi.
I ndiet pasojat e burgosjes së bashkëshortit në punën tuaj?
Pesha e pasojave në punën time ishte gati e pashmangshme. Por, zgjodha që të punoja më shumë se shoqet e mia, nga mëngjesi deri në 11 të natës. Duke e zënë kohën me punë dhe duke marrë mbi supe përgjegjësi profesionale, nuk u lija shteg atyre që të më vendosnin barriera. Jam autore e shumë objekteve të njohura në gjithë Shqipëri. Kam konstruktuar Bankën e Shqipërisë, Pallatin e Kulturës në Çorovodë, Shtëpinë e Kulturës në Krujë, Hotel Turizmin në Pogradec e një seri objektesh të tjera me vlerë. Kur arrestuan Yllin mua më hoqën nga Instituti dhe më dërguan tek “Ndërmarrja e ndërtimit 21 dhjetori”. Mbaj mend një ditë që erdhi në ndërmarrje i dërguari dhe sekretari i parë i partisë Peti Shamlli. Atë ditë u bë një mbledhje e gjatë në të cilën u vendos që mua të më hiqnin nga pozicioni i inxhinieres dhe mbikëqyrëses së punëve, në prodhim: shtrim të pllakave, vendosje e tullave etj.
Si ju erdhi ky lajm?
Është pak të them se ishte poshtërues, gati fyese. Një pushtet që nuk njihte mëshirën. Unë personalisht ndjeva rrënim në profesionin tim. Kujtoj një situatë tjetër. Me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës në vitin 1984 u vendos që të ndërtoheshin 300 apartamente për 100 ditë, në zonën e “Vasil Shantos”, e të gjitha me punë vullnetare. Më caktuan mua në krye të punimeve dhe si inxhiniere të këtij projekti. Përveçse plani u përmbush në mënyrë të suksesshme dhe merita ishte e të gjithëve ne, në ditën e ceremonisë së inaugurimit, ku do të ishte edhe Enver Hoxha, ata nuk më ftuan fare, mua drejtuesen e atyre punimeve, kjo vetëm sepse kisha burrin në burg. U ndjeva keq atë ditë, dhe e zhvlerësuar tërësisht në punën time.
Me gjithë vuajtjet, lirimi i i Yllit pas 10 vjetësh ua lehtësoi disi jetën, apo jo?
Mund të them me bindje që asgjë nuk e ç’bën dhimbjen dhe vuajtjet e mia familjare, me bashkëshortin në burg, i arrestuar pa asnjë bazë ligjore, e mbi të gjitha morale. Pas daljes nga burgu, Yllin e caktuan që të punonte si stallier në kombinatin e mishit këtu në Tiranë. Ishte poshtëruese gjendja, për një student që ishte shkolluar në Poloni e që kishte investuar në profesionin e tij. Nga specialist në ministri, im shoq përfundoi si stallier. Vitet bën punën e tyre, stazhi dhe ngritja në detyrë deri sa doli në pension si drejtor i fabrikës së kombinatit të mishit. Mendova që t’i hapja një kapitull të ri familjes, dhe isha unë që e shtyva Yllin të kërkonte Elisabetën dhe Petritin.
Pse e bërë këtë tentativë, ç’të shtyu?
Diçka më thoshte që ata jetonin diku. Isha vetë nënë dhe kisha ndjenja në shpirt. Ylli kishte gjithmonë frikën se mos i biri ishte bërë prift. Me daljen nga burgu, frika ekzistonte ende, por unë vazhdoja t’a nxisja. I shkruam fillimisht një letër Kryqit të Kuq, po nuk morëm asnjë përgjigje. Mendova se mos do ishte më mirë që t’i shkruanim një kartolinë urimi në adresën e vjetër të shtëpisë në Poloni, me idenë që ata të gëzonin shëndet dhe të ishin mirë. Dhe vërtet atë kartolinë e gjeti tezja e Petritit, domethënë motra e Elisabetës. Pikërisht ajo kartolinë u bë ura jonë e komunikimit. Në këmbim morëm 10 faqe letër të shkruar nga dora e saj, dhe fjalët e para që ajo kish shkruar ishin: Ylli, mos vallë ke dal nga varri?! Në atë letër ajo shkruante për vuajtjet e Elisabetës, për përpjekjet e saj në ambasadën shqiptare në Poloni, ku askush nuk e ndihmoi që të bashkohej me të shoqin, duke u ndarë kështu për së gjalli.
Si e priti bashkëshorti juaj këtë inisiativë?
Ylli nuk shprehej, ndonëse e kuptoja se thellë-thellë e miratonte hapin tim. Ai nuk më ankohej kurrë për vuajtjet e shpirtit, dhe për brengën e djalit nëntë muajsh që kishte lënë pas në Poloni. Mbase nuk donte të më mërziste. Unë vetë si nënë, mundohesha ta kuptoja, dhe mendova se mund t’i bëja dhuratën më të bukur pas burgut, duke e ribashkuar me të birin. Në letrën që motra e Elisabetës kishte dërguar, kish shkruar edhe numrin e telefonit të saj dhe Petritit në Amerikë.
Si u organizua takimi i shumëpritur pas 30 vitesh?
Janë emocione të papërshkrueshme me fjalë. Pas disa bisedash telefonike, të dridhura zëri dhe lot, Ylli dhe Petrit vendosi që të takoheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte ai që dërgoi një garanci dhe ne të dy shkuam në Amerikë. Takimi ndodhi në 2008-ën. Ishte gjithçka kaq mallëngjyese. Në shtëpinë atje na priti Elisabeta dhe Petriti me bashkëshorten e dy vajzat. Atë natë nuk kishte gjumë. Biseduam gjatë dhe zbuluam të vërtetën e historisë së ndarjes së Yllit nga Elisabeta dhe i biri. Me kalimin e viteve, Petriti kishte nisur ta kërkonte të atin kudo nëpër Europë, ndërsa nuk kishte tentuar për në Shqipëri sepse i dinte pasojat që mund t’i binin në kurriz.
Në mbyllje, a jeni e lumtur që familja juaj tashmë është më e plotësuar dhe me më shumë pjesëtarë?
Absolutisht po! Tani jemi një familje më e madhe. Petritin kam nisur ta konsideroj si djalin tim, ndërsa ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me dy vajzat e mia, të cilat i quan motra, Pranverën dhe Ajkanën. Me gruan e parë të tim shoqi kam thjesht një raport korrekt, më shumë një formë respekti. Aq, sa me të qeshur ndonjëherë im shoq shprehet: “Rroftë regjimi, që më bëri me dy gra”!
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











