Lind djalin, vdes pas 1 ore në spital

Jan 7, 2012 | 12:14

Policia e Korçës

Korçë, 22-vjeçarja Erjola Dinoshi ndërron jetë papritur, nis hetimi.

Një 22-vjeçare nga fshati Symiz i komunës së Libonikut ka gjetur vdekjen në maternitetin e Korçës mëngjesin e djeshëm. Pasi është bërë nënë për herë të dytë brenda dy vitesh, e reja ka pasur një fund tragjik. Erjola Dinoshi ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara zyrtarisht, 1 orë pasi doli nga salla e lindjes. Sipas mjekëve, viktima është paraqitur në orët e para të mëngjesit të së premtes me simptomat normale të një lindjeje, por më pas i janë shfaqur komplikacionet që i sollën vdekjen. Foshnja pas lindjes gëzon gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dyshohet se shkaku i vdekjes së 22-vjeçares ka qenë një hemorragji që mjekët nuk kanë mundur ta ndalin, pavarësisht asistimit të tyre. Pas vdekjes së të resë, trupi është dërguar në morg për ekspertiza të mëtejshme, për të përcaktuar dhe shkakun e vdekjes.
Familjarët
Pas njoftimit për vdekjen e 22-vjeçares, familjarët nuk kanë bërë denoncimin, por janë vendosur para morgut në pritje për të marrë trupin e pajetë. Ata të shokuar thonë se e reja ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme as në lindjen e fëmijës së parë. “Vajza ka qenë mirë. Mbrëmë në orën 6 mori në telefon, si për herë të fundit dhe më pyeti: Baba, si je? Ishte në shtëpinë e saj, folëm pak dhe pastaj e mbyllëm. Më pas më lajmëruan se vajza është keq pa ndjenja dhe, kur erdha këtu, ajo kishte mbaruar. Nuk ka pasur probleme, punonte shumë dhe vdiq nga hemorragjia. Mjekët na thanë kështu, por unë nuk e di se ç’të them. Do pres ekspertizën që të mësoj se ç’ndodhi me vajzën time”, është shprehur babai i 22-vjeçares, Çelik Prrenjasi, mes përjetimit të dhimbshëm për humbjen e fëmijës së tij.
Më fjalëpakë ka qenë bashkëshorti i 22-vjeçares, i cili përveçse duhet të përballet me tronditjen e humbjes së bashkëshortes dhe rritjen e dy fëmijëve të mbetur pa nënë, në këtë moment të vështirë vrapon për të kryer ritet e fundit. “E humba atë që kisha. Tani nuk më hyn në punë as denoncimi dhe asgjë tjetër. Le ta gjejnë mjekët se çfarë ndodhi”, është shprehur Fatos Dinoshi, bashkëshorti i 22-vjeçares. Njëra prej të afërmve të së ndjerës, e cila është ndodhur në ambientet e maternitetit gjatë momenteve të fundit, ka pohuar se mjekët menjëherë pas daljes nga salla e lindjes të nënës së re kanë pohuar se gjendja e saj shëndetësore nuk ishte e mirë. Sipas gruas, mjeku Niko Gurllari është shprehur pesimist për gjendjen e nënës së re, duke u rrëfyer të afërmve se ajo kishte hemorragji.
Mjekët
Drejtuesit e spitalit të qytetit juglindor konfirmojnë së vajza pati një hemorragji dhe humbi ndjenjat pas lindjes, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës për të qartësuar shkaqet e ngjarjes së rëndë. Sipas tyre, do të jetë një përgjigje shkresore e raportit mjekoligjor përcaktuesja për përgjegjësinë e këtij rasti. “Ka kryer një lindje normale dhe ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm. Është paraqitur në maternitetin e Korçës me dhimbjet normale të lindjes, por menjëherë pas lindjes ka pasur komplikacione. Pasi kemi marrë njoftimin për vdekjen e saj, është bërë një mbledhje urgjente e stafit që ka asistuar lindjen dhe gjendjen e saj të mëtejshme”, sqaroi për gazetën drejtori i spitalit të Korçës, Riza Ashimi. Siç vërehet nga kartela mjekësore, mjeku gjinekolog, së bashku me dy reanimatorët por edhe asistentet apo infermieret, i kanë dhënë ndihmën e nevojshme, por rasti mund të konsiderohet si një ndër rreziqet e lindjes. “Erjola Dinushit i janë dhënë 4 qese gjak, pasi ka pasur tepër hemorragji si edhe është mbajtur me oksigjen, por fatkeqësisht nuk ka mundur të shpëtojë. Shkakun zyrtarisht nuk mund ta themi, por do presim ekspertizën. Paraprakisht mund të themi se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e hemorragjisë pas lindjes”, ka përfunduar Ashimi.

Policia nis hetimet
Vdekja e regjistruar rreth orës 06:30 të mëngjesit në shtëpinë e lindjes në Korçë ka vënë në lëvizje edhe Policinë e qytetit juglindor. Duke marrë shkas nga mediat, ajo ka nisur hetimet për rastin. Sipas zyrtarëve të Policisë, edhe pse nga ana e familjarëve ka munguar denoncimi apo pretendimet e tyre për mjekim të pakujdesshëm nga ana e mjekëve, sërish rasti do të shqyrtohet. Referuar po të njëjtave burime mësohet se do të ketë marrje në shqyrtim të detajuar të ngjarjes, si dhe të stafit mjekësor, i cili ka asistuar në lindjen e 22-vjeçares dhe gjendjen e saj të mëtejshme shëndetësore. Policia, e cila ka nisur hetimet, ka marrë edhe kartelën mjekësore të viktimës për të verifikuar ecurinë
gjatë orëve të qëndrimit të saj në spital.

Precedenti në maternitet
Në fillim të muajit qershor të vitit 2011, një 49-vjeçare nga fshati Borsh i Devollit gjeti vdekjen 10 ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të konsideruar si të suksesshme. Pavarësisht pretendimeve të familjarëve për mjekim të pakujdesshëm, rasti u mbyll nga organi i akuzës, duke u lënë si shkak i vdekjes tromboza. Rasti i Fatbardha Alikos, i pasuar nga ngjarja më e fundit e vdekjes së 22-vjeçares, e çon në dy numrin e grave të cilat kanë gjetur vdekjen për shkaqe të ndryshme në shtëpinë e lindjes në Korçë vetëm brenda një harku kohor prej 7 muajsh. Pritet hetimi i ngjarjes së fundit për të mësuar nëse kanë faj mjekët për mjekim të pakujdesshëm apo jo.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura