AGRON GJEKMARKAJ
Duke zbuluar piktorin shqiptar me famë botërore
Në ekspozitën “Europa e lirë” në Romë, 1976, artisti denoncon dhunën komuniste
Askush tjetër në pikturën shqiptare nuk është identifikuar aq shumë me vendin e vet dhe me mungesën e tij gjatë shekullit XIX sa Lin Delija, piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini. Sot, emri i Delisë rri në krah të të mëdhenjve të nëntëqindës europiane, si i fundit eksplorues origjinal i artit të shenjtë. Gjithë jeta e tij ishte një dikotomi ndërmjet lirisë artistike dhe robërisë kolektive të popullit të tij, izolimit shqiptar dhe braktisjes nga ana e Perëndimit, trinisë biblike dhe njeriut të zakonshëm. Lin Delia është produkt kulturor i shkollës françeskane. I ndjeshëm dhe i ndryshëm, refuzues ndaj diktaturës, në moshë të re, në vitin 1948, arratiset nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Jugosllavi, ku dhe vazhdon studimet në Akademinë e Zagrebit për Pikturë për t’i plotësuar në atë të Romës, i tërhequr nga Ernest Koliqi, mecenat e çmues i madh i pikturës së tij. Në kohën kur piktori i ri shqiptar fillon studimet në Romë, Mafei dhe Bartoli, dy korifej të shkollës romane të pikturës, zotëronin skenën artistike të Italisë. Në pak kohë Delia bëhet studenti i përzgjedhur i tyre. Kur vite më vonë Bartoli do të vizitonte studion e ish-nxënësit të tij, do të shprehej: “Mund të rrija gjithë jetën në këtë studio, thellësisht i bindur që kam gjetur në të gjithçka”.

Lin Delia ka jetuar mes ekstremesh, famës dhe harresës, ekspozitave në galeritë e famshme të Romës e botës, si dhe vetmisë së vilës Mentuçia në qytezën mes malesh të Antrodokos. Antikonformisti i pakonkurrueshëm refuzon drejtimin e katedrës së Pikturës në Akademinë e Firences, në emër të një lirie pa kushte krijimi dhe jete. Pas studimeve italiane, shndërrohet shpejt në një individualitet i spikatur i ngjyrave, duke tërhequr ndjeshëm vëmendjen e ambienteve kritike të gadishullit. Shkodrani ikanak shfaqet me një përmasë jo të zakonshme intelektualizmi dhe filozofie kristiane. Origjinal dhe tronditës, duke marrë mbi vete jo pak herë mërinë e priftërinjve skematikë, sepse ai e interpreton Biblën jo si një libër të mbyllur, por si bashkëkohësi me subjekt njeriun e ditës.
Temat e tij mbartin kudo botën shqiptare dhe ngjyrat e saj. “Krishti” i Delisë shpeshherë merr trajtat e malësorit shqiptar, madje fytyrën e vetë piktorit. Po aq shqiptarë e të përbotshëm njëkohësisht janë edhe persekutorët e kryqëzuesit e tij. Vitet ‘70 shënojnë edhe kulmin e famës së tij. Është bashkëkohës me Gotuzon dhe e njohin njëri-tjetrin, por Gotuzo nga pas ka një parti të fuqishme politike me ndikim në kulturë, që është Partia Komuniste italiane dhe militanca e saj, ndërsa Delia ka vendosur të sfidojë tendencën me subjektet e tij biblike, pa kërkuar mbështetjen e Vatikanit.
Piktura e Delisë nuk është njëtematike. Portreti, peizazhi, natyrat e vdekura janë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, gjithashtu. Por, arti i shenjtë mbetet vula e tij kryesore mbi historinë e artit. Lin Delia ekspozon në metropole si Roma, New York, Paris, Monaco, Passau (Gjermani), England, Quebec (Kanada) e në qytete të ndryshme italiane, si Breshia, Palermo, Ancona, Rieti, Aquila etj. Kritikë arti me famë botërore, si Mario Novi, Mario Rivosechi, Gianlorenzo De Carli, Franco Graciotti, Cristina Mosconi Paulini, Gualtiero Da Via, Aurelio Ragionieri, Giancarlo Modena, Ernest Koliqi, duke filluar nga viti 1963 e në vazhdim janë ndër promovuesit kryesorë të pikturës së Delisë në organet e shtypit dhe kritikës italiane, ku theksohet përdorimi i së kuqes bizantino-dalmate, kundërtendenca, fuqia shprehëse, përmasa intelektuale e filozofike, si dhe gjurmët shqiptare.
Ata që e kanë njohur nga afër rrëfejnë se Lin Delia fliste gjithmonë e kudo me krenari për Shqipërinë. Në një intervistë të vitit 1979, dhënë televizionit “Raiuno”, do të shprehej: “Populli shqiptar është një popull martirësh, një popull që e di çfarë është vuajtja, por edhe krenaria e qëndresa. Shqiptarët janë besimtarë e të virtytshëm”. Duket kështu ka menduar derisa u rikthye për të parën herë e të fundit pas 46 vitesh në Shkodër, në vitin 1994. Pakkush di për këtë vizitë. Ajo ka kaluar në heshtje dhe pavëmendje. Vëmendjen nuk e paskësh pasur kurrë qëllim në vetvete. Pas kthimit e derisa vdiq, pak muaj më vonë, nuk foli kurrë më për vendin dhe bashkëkombësit e tij. Me sa duket “martirët” dhe “heronjtë” paskëshin qenë vetëm një kujtim rinie, mësues françeskanë që tek pushkatoheshin bërtisnin “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”.
Për ata që nuk e dinë: Delia është i vetmi piktor shqiptar, i cili është prezent në krah të Matisit në muzetë e Vatikanit, me portretin e Krishtit të kryqëzuar. Në qytetet e mëdha italiane e jo vetëm, në pinakotekat bashkiake, si në atë të Romës të Palermos, në muzeun e Breshias, në Katedralen e Azizit, në universitetin “La Sapienza”, në England të Kanadasë, në Monaco etj. gjenden vepra të spikatura të Delisë.
Kuratorët e ekspozitës ndërkombëtare në Passau të Gjermanisë, në vitin 2001 vendosën në krah të piktorit të madh Dali shtatë pikturat e tij mbi “Mundimet e Krishtit”, të cilat nga kritika janë konsideruar ndër më të realizuarat e shekullit XIX, i vetmi në krah të Salvador Dali-së.
Delia do të themelonte dy akademi pikture, njëra prej të cilave quhej “Gjergj Fishta” e në to mësonin artin e penelit studentë italianë, të cilët kanë mbetur gjithmonë dishepuj të mësuesit.
Ekspozita “Europa e lirë”
Veç trajektores së jetës artistike të piktorit Lin Delija, objekt i këtij shkrimi është një ekspozitë e veçantë, e titulluar “Europa e lirë”, e hapur me datë 1 -10 qershor të vitit 1976 në Romë, në “Via dei Prefetti 26”, krejt e panjohur për ne.
Kjo ekspozitë është një akt i madh artistik, moral e politik, duke gjykuar mbi kontekstin historik shqiptar dhe atë artistik në Itali. Në të Delia shfaqet si një piktor i angazhuar intelektualisht e politikisht, me aspiratë denoncimin e diktaturës në Shqipëri dhe sensibilizimin e ambienteve romane si kërkesë për ndihmë.
Italia dhe piktura për Delinë nuk janë një shkretëtirë arratie për t’i ikur realitetit që ai bart mbi vete që nga viti 1948, përkundrazi, një tribunë sublime shprehjeje. Tek “Europa e lirë” dukshëm ndihet ironia për konceptin, pasi gjysma e saj ishte nën “perden e hekurt”, Shqipëria gjithashtu. Ai nuk e transformon realitetin shqiptar, por e shfaq në përmasën e tij tragjike. Nuk i rrëshqet atij në emër të kozmopolitizmit dhe modës së ditës, sepse për të piktura është jeta, jeta është realiteti social dhe njeriu është e vetmja masë e saj, kur ai mbetet vetvetja. Vetvetja kërkon konsekuencë morale. Rrëfim të asaj që nuk është në modë, d.m.th., tiraninë e një vendi të vogël e të izoluar, pa të cilin nuk bën dot.
Vepra e parë që hap këtë ekspozitë të vitit 1976 është edhe kujtimi i fundit i arratisë, priftërinjtë, mësuesit e pushkatuar te çinaret e Rrmajit. Ky perceptim quhet “Martiri”, në të cilin paraqiten disa njerëz të gjymtuar mbi paterica, tek shohin një prift katolik të pushkatuar pranë një muri, ku është shkruar “Rroftë Shqipnia”, “Poshtë klyshtë e Rusisë”.
E dyta gjithashtu ka diçiturë tronditëse “Pushkatimi”, një malësor me sytë nga qielli, i pacenuar në krenari nga vdekja e afërt, në kërkim të jetës së pasosun përballë skuadrës së plotonit. Tjetra, po aq, “Internimi”, në të cilën shfaqet një mase e madhe njerëzish, një popull i tërë rrethuar nga ushtarë të armatosur drejt një fati të panjohur e tragjik. “Varja në litar” është dhimbja epike e malësorit që vdes i panënshtruar.
“Zoja e Shkodrës”, paqësore e shpresëdhënëse me një kërthi në prehër në mes të kalvarit shqiptar dhe menjëherë pas saj, si për të ruajtur një koherencë me parabolën e “Zojës mesjetare” vjen “Lamtumira”, ndarja dhe arratia me gjithçka që ke dashur dhe besuar, ikje nga pushtimi turk, ikje nga tirania komuniste, ikje pa kthim. “Në Siberi”, kështu vijon piktura pasuese me një lidhje ideologjike ndërmjet asaj që ndodh në kampin komunist me dhunën si fat të përbashkët për të gjithë popujt nën dhunë.
Një burrë ashtor mban mbi supe një të plagosur, duke ikur pa kthim në një sfond të errët e plot ankth dhe poshtë me diçiturën “Arratisja nga burgu i Shkodrës”. “Buk dhe gjak” është tabloja tjetër, për të vijuar me “Sekretin e tmerrshëm”, ku njerëzit kanë humbur besimin te të njëjtët, ata nuk flasin, por çuçurisin, shenja zëvendëson fjalën, kur frika mposht komunikimin, i cili humbet kuptimin.
“Heronjtë” gjithashtu janë shqiptarë nga raca e atyre që rezistuan, të cilët pasi kanë sublimuar vetveten, me qëndresën e tyre presin me gjakftohtësi heroike vdekjen, që u vjen nga skuadra e pushkatimit, simbol i pushtetit dominues.
“Kryqëzimi” i njeriut shqiptar është i njëjtë me atë të birit të Jozefit dhe Marisë, njësoj të mbërthyer mbi kryq me gozhdë nga tre ushtarakë shqiptarë, si tre legjionarët romakë dy mijë vjet më parë. Delia beson te ringjallja e njeriut shqiptar. Lin Delia, martirëve u rezervon qiellin e pavdekësinë, e bën këtë si artist e si i krishterë dhe si dëshmi sjell “Vulën e martirit”, ku një kokë qëndron mbi re, tek njeriu i zakonshëm ecën mbi tokë.
“Refugjati” është një tjetër telajo me forcë shprehëse të drejtpërdrejtë, një lloj autoportreti, ku tiparet e deformuara nga dhimbja përkufizojnë vetë ekzistencën e të qenit refugjat, i mohuar nga atdheu… “Njerëzor dhe Hyjnor” janë dy tablotë e fundit, në njërin portreti i Krishtit, i ngjashëm me fizionominë e vetë Delisë dhe një tjetër ku njeriu vret njeriun, një ushtar me pushkën ngrehur që qëllon mbi tjetrin. Publikut të lirë italian, Delia, me një lartësi të madhe pohimi, i shfaq krejt tragjizmin e një bote që mposhtet duke rezistuar. Kjo ekspozitë është e vetmja dëshmi në pikturë e krimit komunist në Shqipëri.
Ishte një befasi e madhe zbulimi i kësaj ekspozite në disa këndvështrime e tillë. Në rrafshin praktik, intelektualët shqiptarë në diasporë, të terrorizuar nga krimet e Sigurimit të Shtetit, kishin preferuar të mbylleshin në katedra e studio, pa shfaqur bindje politike, ndërsa Delia zgjedh sfidën, ndërkohë që piktura shqiptare në Shqipëri ishte shndërruar në daullen më të fuqishme të propagandës dhe të socrealizmit.
Piktorë të vërtetë apo të improvizuar na ofronin pothuaj gra me mustaqe që çanin dërrasa apo korrnin grurë e saldonin hekur, burra ciklopike me matrapik e qysqi copëtonin male, partizanë që me një të kollitur rrafshonin nja dyqind gjermanë, pistoleta të vizatuara në bibla e kuranë, njeriu popull që më këmbë palloshe shtyp armikun e klasës, kufitarë me vështrim nga armiku, gra zboriste e veteranë me pionierë tek u rrëfejnë bëmat pranë lapidarit ndanë xhadesë, superfuqi me kokë si bisha, zogj që cicërojnë në atdheun socialist dhe kremi: portretet e pafund të diktatorit si zot-pushteti e hyjni njëkohësisht, si dhe anëtarëve të Byrosë Politike. Ekspozita “Europa e lirë” është një dëshmi disa herë e rëndësishme. Ajo shfaqet si një art modern, jo e kundërta e socrealizmit, ajo është bashkëkohëse me historinë që kryhej, ajo është akt moral, intelektual e politik unik.
Më vjen ndërmend ky krahasim, kur kujtoj sesi një piktor, simbol i realizmit socialist, disa vite më parë, për 70-vjetorin e tij kërkonte plot krenari dhe arrogancë nja 10 mijë euro për një katalog të veprës së vet, ndërkohë që Delia as i gjallë e as i vdekur nuk kërkonte asgjë. Për lexuesin shqiptar është me vend të rrëfejmë se në Itali, në vendin e artit botëror, dy qytete italiane, Antrodoko dhe Ozimo, kanë ndërtuar dy muze kushtuar piktorit shqiptar, brenda të cilëve janë të ekspozuara disa prej veprave të spikatura të Lin Delisë, duke e konsideruar atë si patentë kulturale të qyteteve të tyre. Në këtë frymë mbase Shkodra mund të bëjë ndonjë krahasim apo nxjerrë ndonjë mësim, duke e konsideruar para së gjithash Lin Delinë si një vlerë shqiptare që na bashkon me artin e madh europian. Duhet të shfaqim kujdes për veprën e tij, e cila është e shpërndarë në shumë vende të botës ndër koleksionistë të ndryshëm, së paku ta katalogojmë atë për t’ia prezantuar publikut shqiptar dhe studentëve që ëndërrojnë të bëhen piktorë europianë. Nuk e kemi luksin e harresës. Ministria e Kulturës ka detyrim moral të interesohet për fatin e kësaj vepre kaq domethënëse, së paku, duke marrë garanci për mirëmbajtjen, ekspozimin dhe fotografimin e saj, nëse ligjërisht është e pamundur që ato t’i trashëgojë Shqipëria.
Mund të themi se Lin Delija mbetet një vetmitar madhështor në kulturën shqiptare, një piktor i identitetit europian i pjesës së tij më sqimatare e themeluese, artit të shenjtë. Pikturës shqiptare i mbetet ta pranojë si të tillë, pa ndoshta e pa sikur. Historia e artit shqiptar nuk bën dot pa të, pasi ta ketë njohur e për aq kohë sa nuk e njeh, le të pranojë që padija nuk është argument.











