
Andi Lila është një hap nga Arisi i Selanikut. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta pranë lojtarit, të cilat konfirmojnë faktin se mes menaxherit të Lilës dhe klubit selanikas është gjetur parimisht një akord.Lila do të zërë vendin që do të lërë bosh te kjo skuadër një tjetër shqiptar, Kristi Vangjeli. Mbrojtësi i Kombëtares është 99 për qind i larguar nga kjo skuadër, në një kampionat më prestigjioz, dhe Lila është parë si zëvendësuesi ideal për këtë të fundit.
Tratativa – Në momentin kur të gjithë po shihnin nga Dinamo e Bukureshtit, skuadër kjo që ka kërkuar shërbimet e Lilës që në merkaton e janarit, vjen një ofertë shumë herë më e mirë nga Arisi i Selanikut. Skuadra e cila u rendit në vendin e 6-të në kampionatin grek për këtë sezon me 45 pikë(13 fitore, 6 barazime dhe 11 humbje) kërkon të përforcohet me qëllim që sezonin e ri të pretendojë një vend në Kupat e Europës. Ndërkaq, nuk bëhen të ditura shumë detaje lidhur me shumën që Lilës i është ofruar nga klubi grek, si dhe kontratën të cilën ai do të nënshkruajë në ditët në vazhdim. Lila përfundon kontratën me Tiranën në fund të këtij muaji, dhe konsiderohet si lojtar i lirë, ndaj në këtë kontekst, grekët nuk do të paguajnë asgjë përveç rrogës për të cilën do të binte dakord me lojtarin bardheblu. Aktualisht Lila përfiton rreth 90 milionë lekë (të vjetër) në sezon tek Tirana, por me kalimin në kampionatin grek natyrisht kjo shifër mund të shkojë drejtë dyfishimit.
Vangjeli – Mbrojtësi i Kombëtares ka disa oferta nga Turqia dhe Gjermania, por ende nuk ka vendosur se ku, dhe për cilën skuadër do të nënshkruajë një kontratë të re. I sigurt është vetëm fakti se ai do të largohet përfundimisht nga kampionati grek, duke qenë se nuk pranoi as të rinovonte kontratën e tij me Arisin, ekip me të cilin është rritur. Korçari preferon të luajë në Bundesligë (Frajburgu, Frankfurti), por ofertat nga klubet turke kanë qenë më të majme nga ana financiare, ndaj nuk do të ishte çudi nëse ai do të kalonte në kampionatin turk, duke snobuar në një farë mënyre një ligë prestigjioze si ajo gjermane. Gjithsesi, gjithçka do të vendoset në fund të këtij muaji, si për Vangjelin dhe për Lilën.
90 milionë
lekë (të vjetra) merr pak a shumë Andi Lila në sezon te skuadra e Tiranës. Ai nuk është më i paguari te kjo skuadër, por absolutisht ndër më të paguarit në Superiore.
Leonard Karaj
© Panorama.al











