Lika qetëson Dinamon: Në Kavajë s’ka dhurata

May 15, 2011 | 10:12

Ilion Lika, ndonëse është larguar nga Dinamo në mënyrë aspak paqësore, madje është ende në gjyq me drejtuesit e këtij klubi, premton ndershmëri në ndeshjen e fundit me Kavajën.Portieri i Tiranës, në një deklaratë të dhënë për mediat, në një farë mënyre i qetëson blutë kur thotë haptas se nuk do të ketë dhurata për Besën. Në fakt, kjo deklaratë nuk vjen për të favorizuar dinamovitët, por për të mbajtur në tonus bardheblutë, në prag të finales së Kupës. “Një njeri me logjikë të shëndoshë, pavarësisht mënyrës se si unë u largova nga Dinamo, nuk vepron në mënyrë të ulët, duke lakmuar hakmarrje. Unë e kam thënë edhe më parë që largimi më bëri mjaft mirë, sepse që nga ai moment gjërat në karrierën time morën për mbarë. Ajo çka mua më intereson është, që të arrijmë objektivin e vënë nga klubi: pra, të fitojmë Kupën. Shpresojmë që ta arrijmë këtë trofe, por duhet të japim maksimumin, duke filluar nga ndeshja me Kavajën. Kjo edhe për të shuar zërat, ku thuhet se do të pësojmë 10 gola. Nuk i takon Tiranës që ta çojë në mendje këtë gjë, e jo më ta bëjë realitet. Ne duam që të jemi në formë për finalen e Kupës dhe hapi i parë është që të fitojmë ndaj Besës. Unë nuk kam inate dhe hakmarrje, pasi dua që të fitojmë Kupën, të shpëtojmë sezonin dhe të përmirësojmë anën tonë financiare. Në rast dështimi, do të ishte katastrofë për ne. Nuk mendoj për Dinamon, por vetëm për ekipin tim, pra Tiranën”, – tha portieri për zërat që po qarkullojnë së fundmi.
E ardhmja
Përveç tri blerjeve të merkatos së janarit, Lika është i vetmi futbollist që ka kontratë edhe për sezonin e ri me bardheblutë. “Unë kam bërë punën time dhe shpresoj ta kem justifikuar besimin e të gjithëve. Tirana është ekipi i vetëm në Shqipëri ku ia vlen të qëndrosh. Është një nder për mua që jam pjesë e këtij ekipi kampion, ndaj do të jap më të mirën që të rri sa më gjatë. Megjithatë, kurrë s’i dihet se çfarë ndodh, pasi mund të vijë një ofertë që mund të jetë në interes si të klubit, por edhe për mua. Por këto janë thjesht hipoteza, pasi unë jam futbollist i Tiranës edhe për një sezon”, – përfundoi Ilion Lika, i cili ecurinë në planin personal e konsideron pozitive, ndonëse notën vetes do t’ia japë pas finales së Kupës.

© Panorama.al

Te lidhura