Humbja e fundit ka prishur ekuilibrat në kampin bardheblu. Të gjithë e dëshironin një start të mbarë, por nuk ka shkuar kështu. Megjithatë, ata besojnë se në fund Tirana gjithmonë ia del, ndonëse hallet në këtë klub plot traditë nuk kanë të sosur. I kësaj linje është edhe Ilion Lika, një ndër elementët më të vyer të bardhebluve. “Humbja na ka mërzitur pa masë, megjithatë, nuk është fundi i botës, pasi ishte thjesht ndeshja e parë. Thonë se fillimi i mbarë është gjysma e punës, mirëpo ndonjëherë është më mirë t’i kapësh gabimet që në fillim. Në të tilla kushte ne kemi mundësi të rikuperojmë. Në këto luhatje ka ndikuar fizionomia, e cila na mungon. Duhet bërë më shumë kujdes për kontratat që bëhen për lojtarët që afrohen, që duhet të jenë strikte. Nga krahu tjetër, kurrsesi nuk duhet lënë një talent të ta marrin nga duart. Ky është keqmenaxhim. Sidoqoftë, tashmë kjo është e shkuara dhe nuk ia vlen të merresh më me të. Luhatjet te ne janë të vazhdueshme, për një moment ekipi krijohet, mirëpo ditën tjetër gjithçka shkatërrohet sa hap e mbyll sytë. Aktualisht është ndërtuar një skuadër me elementë të mirë, që kanë të ardhme, por që nuk mund ta mbajnë peshën e kësaj fanelle. Këtu dua të pranoj se kemi edhe ne përgjegjësitë tona, sepse e dimë që kemi gabuar”, përfundoi Lika, që nuk ngurron të premtoj kthesën këtë fundjavë kundër Kastriotit në Krujë.











