Ligji për mbetjet nuk i hap rrugë importit

Sep 24, 2011 | 12:53
Zv. ministri i Mjedisit, Taulant Bino

“Ligji ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’ nuk është ligji i importit të mbetjeve dhe as ka për qëllim të lejojë importin e mbetjeve”. Këtë deklaratë bëri dje zv. ministri i Mjedisit, Taulant Bino, pas miratimit në Parlament të ligjit dy ditë më parë. “Informoj sërish se rruga e importit të mbetjeve është e hapur që prej vitit 2003, ndaj dhe qeveria nuk do të kishte asnjë nevojë ta risillte në vëmendje nëse do të kishte mendime dhe qëllime mafioze. Përkundrazi, ligji i miratuar shprehet në nenin 48 të tij se në Republikën e Shqipërisë ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe importi i mbetjeve jo të rrezikshme me qëllim ruajtjen ose asgjësimin”, tha Bino. Ai shtoi se në ndryshim nga ligji i mëparshëm, ky ligj hap tashmë rrugën për trajtimin e duhur e përfundimtar të të gjitha rrymave të mbetjeve. Sipas zv.ministrit të Mjedisit, ligji përcakton tashmë qartësisht rolin e autoriteteve vendore në planifikimin dhe menaxhimin e përditshëm të grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve dhe kemi rastin këtu të rikërkojmë angazhimin e njësive të qeverisjes vendore në zbatimin e plotë të tij. ”Ligji rrit nivelin e gjobave për shkelësit e tij, përfshirë këtu dhe vetë krerët e autoriteteve vendore që nuk kryejnë detyrën që u cakton ligji. Për ata që depozitojnë dhe transportojnë mbetje toksike shprehet vetë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë që përcakton dënime me burg deri në 15 vjet”, theksoi Bino. Sipas tij, me miratimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” Shqipëria bëhet një vend më i sigurt. Me miratimin e tij futemi përfundimisht në rrugën e duhur të menaxhimit të mbetjeve.

© Panorama.al

Te lidhura