Ligji i Qeverisë, Presidenti konsultohet me Kuvendin për dekretet

Jul 14, 2012 | 12:21

Qeveria dërgon për miratim në Parlament ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë.

Dekretet, bashkëpunim me kryetarët e grupeve parlamentare.

Presidenti do të jetë i detyruar të konsultohet me Parlamentin përpara se të dërgojë për miratim emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo është një prej dispozitave ligjore të shtuara në projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i cili ka mbërritur tashmë në Parlament. Në draftin që kërkon 84 vota parashikohet shtesa e nenit 4/1 “Procesi i bashkëpunimit”, në të cilin përcaktohet konsultimi i kreut të shtetit me krerët e grupeve parlamentare. “Presidenti i Republikës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, bashkëpunon duke zhvilluar konsultime për përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve, sipas nenit 4 të këtij ligji, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të

Bujar Nishani pas zgjedhjes si President

Gjykatës së Lartë. Presidenti i Republikës, gjatë procedurës së konkurrimit, mund të kërkojë të dhëna apo informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror”, thuhet në draftin e qeverisë. Këto ndryshime vijnë pas përplasjeve të vazhdueshme mes Presidentit aktual Bamir Topi dhe maxhorancës lidhur me emërimet në Gjyqësor. Shumica nuk mori në shqyrtim disa nga propozimet e kreut të shtetit dhe çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Parlamentit në kërkesën e këtij të fundit për t’u konsultuar.
Emërimet
Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar gjithashtu afate konkrete për zëvendësimin e gjyqtarëve, në mënyrë që Gjykata e Lartë të mos qëndrojë për asnjë moment me vende vakante. Konkretisht, kryetari i Gjykatës së Lartë do të jetë i detyruar që tre muaj përpara se një anëtarit t’i përfundojë mandati, të njoftojë Presidentin për vendin e mbetur bosh. “Presidenti i Republikës, brenda dy javëve nga marrja e njoftimit nga kryetari i Gjykatës së Lartë, njofton publikisht, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve, duke përcaktuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe afatin, brenda të cilit subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesën për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të afatit të përcaktuar për paraqitjen e dokumentacionit, Presidenti i Republikës, brenda një jave, publikon listën e kandidatëve në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës”, thuhet në pikat 3 dhe 4 të nenit 4 të këtij projektligji. Në kriteret e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, përveç kushteve të arsimit juridik dhe eksperienca prej 13 vjetësh si gjyqtar ose 15 vjet jurist me përvojë në administratë, qeveria ka vendosur edhe disa kushte të tjera, sipas të cilave, “të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 5 (pesë) vitet pararendëse nga data e kandidimit; të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Duke shpjeguar këto ndryshime, në relacionin e Ministrisë thuhet se “në filozofinë e Ministrisë së Drejtësisë, anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk duhet të asociohen me asnjë forcë politike, pasi për vetë rolin kyç që ky institucion ka në sistemin e drejtësisë, çfarëdo lloj afiliacioni politik do të hidhte hije në lidhje me pavarësinë e Gjykatës dhe, si rrjedhim, mbi pavarësinë e sistemit”.

NDRYSHIMET NE LIGJ
Neni 4 ishte

Procedura e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit.

Neni 4 bëhet
Procedura e emërimit
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit, sipas procedurës së parashikuar nga ky ligj.
2. Kryetari i Gjykatës së Lartë, jo më vonë se 3 (tre) muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës së Lartë apo menjëherë, në rastet e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, njofton Presidentin e Republikës për vendin vakant që pritet të krijohet apo është krijuar.
3. Presidenti i Republikës, brenda 2 (dy) javëve nga marrja e njoftimit nga kryetari i Gjykatës së Lartë, njofton publikisht, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve, duke përcaktuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe afatin, brenda të cilit subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesën për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë.
4. Në përfundim të afatit të përcaktuar për paraqitjen e dokumentacionit, Presidenti i Republikës, brenda një jave, publikon listën e kandidatëve, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës.
5. Dekreti i Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë botohet në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës dhe i përcillet menjëherë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili vijon procedurat sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
6. Dekreti i Presidentit duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë qartësisht arsyet e përzgjedhjes së kandidatit fitues.

Shtohet neni 4/1
Procesi i bashkëpunimit
1. Presidenti i Republikës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, bashkëpunon duke zhvilluar konsultime për përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve, sipas nenit 4, të këtij ligji, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.
2. Presidenti i Republikës, gjatë procedurës së konkurrimit, mund të kërkojë të dhëna apo informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror”.

Shtohet Kolegji Administrativ
Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja, përveç Kolegjit Civil dhe Kolegjit Penal, Gjykata e Lartë do të ketë edhe Kolegjin Administrativ. “Caktimi i gjyqtarëve në kolegje bëhet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, duke mbajtur në konsideratë përvojën profesionale. Kryetari i Gjykatës së Lartë, pasi merr pëlqimin e gjyqtarëve, mund t’i lëvizë ata nga një kolegj në një tjetër për arsye të ngarkesës së punës dhe të funksionimit normal të Gjykatës”, thuhet në nenin 10 të draftit.

Caktimi i gjyqtarëve
Ekzekutivi ka vendosur në draft edhe një dispozitë kalimtare deri në momentin që do të miratohen ndryshimet dhe të krijohet Kolegji Administrativ. “Deri në plotësimin e numrit të anëtarëve të Kolegjit Administrativ, sipas rregullave të vendosura nga ky ligj, gjyqtarët e këtij Kolegji caktohen nga kryetari i Gjykatës së Lartë, nga radhët e gjyqtarëve ekzistues, duke mbajtur në konsideratë përvojën profesionale të tyre”, thuhet në draftin që do të nisë javën e ardhshme diskutimin në Komisionin e Ligjeve.

“Nuk duhet të kenë konflikt interesi”
Gjyqtarët, informacion nga organet e sigurisë
Qeveria ka përcaktuar gjithashtu një sërë kushtesh për ata që do të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Konkretisht, përveç integritet të lartë moral, transparencës së plotë dhe të dokumentuar, gjyqtarët nuk duhet të jenë në konflikt interesi. “Kandidatët që përmbushin kushtet ligjore të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, zgjidhen gjyqtarë në Gjykatën e Lartë: të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike me gjyqtarë të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm; përbërjen e trupës gjyqësore në momentin e emërimit të kandidatit, duke synuar balancën ndërmjet  përvojave personale të anëtarëve; informacioneve konfidenciale në lidhje me kandidatët, të disponuara nga organet e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike”.

Gjykata e Lartë bëhet me 19 anëtarë
Në momentin që Parlamenti do të votojë draftin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, ky institucion nuk do të ketë më 17, por 19 anëtarë. Sipas relacionit të qeverisë, “në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe misionit EURALIUS, 19 është numër më i përshtatshëm sepse mundëson një organizim shumë racional të Gjykatës në tri kolegje me 6 anëtarë secili, secili në trup gjykues me 5 gjyqtarë dhe 6 dhoma me 3 gjyqtarë për çështje procedurale. Në të njëjtën kohë vlerësohet se një rritje më e madhe e numrit të gjyqtarëve do të reduktonte eficiencën në zbatimin e rregullave të reja procedurale për uljen e numrit të çështjeve”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura