Liderë nga gjithë bota i japin lamtumirën e fundit Havelit

Dec 24, 2011 | 13:18
Ollbrajt, Bill e Hilari Klinton në lamtumirën e fundit të Havel

Dhjetëra liderë nga e gjithë bota i kanë dhënë lamtumirën e fundit dje në Pragë Vaclav Havelit, shkrimtarit dikur disident, i cili udhëhoqi Çekosllovakinë postkomuniste e më pas Republikën Çeke, si president i saj. Ceremonia e funeralit u krye në katedralen Shën Vitus në Kështjellën e Pragës. Trupi i të ndjerit ka qëndruar në kështjellë gjatë tri ditëve të zisë zyrtare. Në  mesditë u mbajt një minutë heshtje dhe pas saj në të gjithë Çekinë tingëlluan sirena dhe kambanat e kishës, në kujtim të Havelit. Orkestra Filarmonike Çeke ka luajtur pjesë të “Requiem” nga kompozitori cek, Antonin Dvorak, gjatë gjithë ceremonisë. Duke sfiduar të ftohtin e acartë, mijëra çekë kanë pritur në radhë të gjata që nga e hëna për të bërë homazhe pranë trupit të Havelit, në katedrale. Të mërkurën, mbi 10 000 njerëz kanë marshuar në rrugët mesjetare të Pragës, të udhëhequr nga bashkëshortja e Havelit, aktorja Dagmar, në respekt të tij. Një koncert rok dhe një festival në nder të Havelit u luajtën të premten në mbrëmje në pallatin “Lucerna”, që familja Havel kishte ndërtuar në fillim të shekullit XX. Mijëra personalitete ishin ftuar në katedrale, ndërsa populli që kishte dalë nëpër rrugë e ndiqte ceremoninë në ekrane të mëdha. Para tyre u lexua letra e Papa Benediktit dedikuar Havelit dhe lutjes për të. Fjalën e mbajtën kryepeshkopi i Pragës, Dominik Duka, si dhe peshkopi Vasllav Mali, një mik i afërt i Havelit. Të pranishëm në ceremoni ishin çifti Bill dhe Hilari Klinton, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, Kryeministri britanik, David Kameron etj. Në fund të ceremonisë, 21 topa qëlluan në ajër, ndërkohë që luhej himni kombëtar çek. Haveli u varros në parcelën e tokës së familjes së tij, në varrezat e qytetit Vinohrady afër gruas së tij të parë, Olga, e cila vdiq në vitin 1996. Që ditën që u njoftua vdekja e Havelit, çekët mblidheshin spontanisht në vendet historike të qyteteve të tyre duke vendosur lule dhe duke ndezur qirinj. Këto imazhe dhe një gjendje e tillë emocionale në vend nuk ishte parë që nga viti 1937, kur u nda nga jeta presidenti i parë i Çekosllovakisë që pas themelimit të vendit në vitin 1918, Tomas Garrigue Masaryk. Motoja e Havel ishte: “E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”.

Berisha
“Vaclav Havel u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni ndër më përfaqësueset që është zhvilluar ndonjëherë. Për ne, ai ishte simboli dhe frymëzuesi kryesor kundër komunizmit në mbarë Europën. Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave, i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve, shkrimi i tij se ‘Unë jam shqiptar’, në një kohë kur barbaritë serbe po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëravjeçarë të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës”, the mes të tjerash Kryeministri Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura