Libi, rebelët refuzojnë paqeruajtësit e OKB-së

Sep 1, 2011 | 11:49

Rebelët libianë kanë refuzuar ofertat e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Jan Martin, për të lejuar në terren forca të ushtrisë ndërkombëtare. Ideja e Martinit ishte për dërgimin e  rreth 200 vëzhguesve ushtarakë të paarmatosur. Por, Ibrahim Dabashi, zv/përfaqësuesi i Libisë në OKB, tha për BBC se nuk ka nevojë për vendosjen e paqeruajtësve. “Nuk është një luftë civile, nuk është një konflikt mes palesh, është populli që po mbron veten nga diktatori”, tha ai. Ndërkohë, trupat rebelë i kanë vendosur një ultimatum besnikëve të Gedafit për t’u dorëzuar, përpara se të nisin sulmet masive edhe në qytetin “fortesë” të Gedafit, Sirten. Por, ultimatumi u refuzua nga zëdhënësi i kolonelit. Musa Ibrahim i tha “Jo”, ultimatumit dhe ka akuzuar Francën se po furnizon me armë dhe makina rebelët. Ibrahim tha se djali i Gedafit, Saadi, ishte ende i gatshëm të negocionte me Këshillin Nacional për kalimin e kompetencave në një qeveri tranzicioni. Por sipas rebelëve, al-Saadi po përpiqet të negociojë kushtet e dorëzimit personal. Komandanti i rebelëve në Tripoli, Abdel Hakim Belhaj, tha se al-Saadi i ka telefonuar atij të martën për ta pyetur se sa siguri i ofronin, dhe ai i është përgjigjur se do t’i garantohen të gjitha të drejtat e njeriut dhe do të trajtohej në mënyrë njerëzore.

© Panorama.al

Te lidhura