Libi, nisi sulmi i katërt kundër “tërbimit” të Gedafit

Mar 23, 2011 | 10:23
rebelet ne bengazi kane marre tankun e forcave te gedafit pas nderhyrjes se suksesshme te koalicionit perendimor

Koalicioni perëndimor ka nisur një fazë të re bombardimesh në qendrat e mbrojtjes së Gedafit dhe në ato sulmeve, kryesisht në qytetet e rebelëve, pas “tërbimit” të pandalshëm të besnikëve të tij.Shpërthime anti-avionësh dhe zjarri rreth Tripolit kanë shënuar në orën 20:15 me orën lokale, fillimin e natës së katërt të bombardimeve. Një komandant i lartë i brigadave elite të Gedafit është vrarë afër Tripolit, sipas TV “Al Jazeera”.
Sipas oficerëve të koalicionit, tri fazat e para të operacionit kanë kaluar me sukses, ndërsa gjatë natës po kryhej edhe faza e katërt e sulmeve. Një avion ushtarak i forcave amerikane është rrëzuar në një fermë dhe gjatë operacionit të shpëtimit forcat amerikane thuhet se kanë qëlluar gjashtë civilë. Avioni është rrëzuar për arsye teknike, dhe jo prej një sulmi armik dhe pilotët janë mirë. Por, një helikopter amerikan që ka ardhur për t’i shpëtuar ata pas uljes me parashuta, ka qëlluar kundër civilëve në territorin aty pranë, duke i menduar armiq. Oficerët amerikanë në “USS Kearsarge” i kane mohuar raportimet. “Kjo nuk ka ndodhur. Mund ta mohoj 100 për qind”, tha kapiteni Riçard Ulsh, zëdhënës për marinën amerikane. Por, raportimet nga gazetarët në tokë duket se kanë kontradiktë me këtë mohim. Dy pilotët janë hedhur nga avioni në rrëzim, F-15E afër Benghazit.  Vetë pronari i fermës ku ra avioni amerikan, Hamid Moussa el-Amruni, është qëlluar. Ndërkohë, koalicioni po shikon me kujdes brigadën 32 të Gedafit, e cila konsiderohet elita e ushtrisë së tij. Një pjesë madhe e kësaj brigade janë stacionuar në Tripolin për të mbrojtur liderin libian. Por, sipas komandantëve amerikanë, koalicioni nuk do ta ketë problem përballjen me mjetet e vjetruara luftarake ajrore që ka Gedafi. Koalicioni po “konsideron çdo opsion” pasi ka informacione të vazhdueshme për sulmet e forcave të Gedafit kundër civilëve në Misrata e qytete të tjera.

Bashkohet Spanja

Sipas AP-së, Spanja u bë vendi i fundit që iu bashkua koalicionit të drejtuar deri tani nga amerikanët. Parlamenti spanjoll e ka aprovuar kërkesën e Kryeministrit, Jose Luis Rodríguez Zapatero, me 336 vota pro dhe 3 kundër, me një abstenim. Vendi do të kontribuojë me katër xhet F-18, një “Boeing” 707, një nëndetëse, një fregatë dhe një avion mbikëqyrës. 500 ushtarë spanjollë do të marrin pjesë në operacion.

Algjeria kundër

Sipas agjencisë “Reuters”, një nga vendet e Ligës arabe që e ka kundërshtuar më fort ndërhyrjen amerikane dhe të pjesës tjetër të koalicionit perëndimor në Libi, është Algjeria. Ministri i Jashtëm algjerian tha se ndërhyrja e ushtrisë perëndimore në Libi është “disproporcionale” dhe duhet të marrë fund menjëherë. Misioni ka mbështetjen e Arabisë Saudite dhe Katarit.

Gejts: Sulmet në Libi do të reduktohen

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, ka vizituar Rusinë për të gjetur gjuhën e përbashkët me autoritetet ruse mbi Libinë. Sipas Gejts, sulmet në Libi do të reduktohen gjatë ditëve të ardhshme. Vizita e Gejts vjen ndërkohë që ka mospërputhje të qëndrimeve të Rusisë të shprehura nga kryeministri rus, Putin dhe Presidenti,  Medvedev. Vetëm ky i fundit e ka quajtur korrekt aksionin, ndërsa Putin ka përdorur terma si “kryqëzatë”. Ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serdiukov, tha se “Ngjarjet tregojnë se janë dëmtuar struktura civile dhe kanë humbur jetën civilët”, tha Serdiukov. Por Gejts theksoi se “Sulmet në Libi janë bazuar në rezolutën e OKB-së”.

Obama, Erdogan: OK, rezolutës së OKB-së

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka biseduar me kryeministrin turk, Rexhep Tayip Erdogan, mbi aksionin e OKB-së në Libi, pas deklaratave nga Turqia, se ndërhyrja e forcave të koalicionit është e tepruar dhe se ata e kanë tejkaluar qëllimin për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit. Të dy liderët kanë diskutuar mbi impenjimin e tyre për të mbështetur plotësisht rezolutat 1970 dhe 1973, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ata kanë rënë dakord se aksioni kërkon një mbështetje të gjerë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vendet arabe, të cilat gjithashtu janë rezervuar nga bashkëpunimi.

© Panorama.al

Te lidhura