Libi, betejë në dy bastionet e fundit të Gedafit

Sep 17, 2011 | 12:08

Luftimet në Libi për të mposhtur deri në fund Muamar Gedafin po vazhdojnë, ndërsa forcat e Këshillit të Tranzicionit, që tashmë njihet si qeveria zyrtare e vendit nga shumë vende perëndimore, kanë rrethuar Sirten dhe janë zotuar se do ta kapin Kolonelin. Besnikët e Gedafit nuk tërhiqen, edhe pse tashmë rebelët opozitarë kanë marrë rreth 95 për qind të territorit. Beteja vazhdon edhe në fortesën tjetër të kolonel Gedafit, Bani Ualid. Ka pasur shpërthime rreth Bani Ualidit, 180 kilometra në jug të Tripolit, por raportohet se kamionë dhe tanke i janë afruar edhe Sirtes, disa orë pasi një ofensivë u detyrua të tërhiqej për shkak të reagimit të ashpër të trupave të kolonelit. Ndërkohë, zëdhënësi i Gedafit ka komentuar sërish se ata nuk do të dorëzohen dhe e ka vlerësuar vizitën e Presidentit francez, Nikolas Sarkozi dhe atë të Kryeministrit britanik, David Kameron, si një përpjekje për kolonizimin e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura