Partia e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE Party) ka publikuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale, ku shpreh mbështetje për qytetarët shqiptarë që prej 45 ditësh protestojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa kritikon qeverinë e kryeministrit Edi Rama për financimin me 4 milionë euro të koncertit të reperit amerikan Kanye West.
Në postimin e saj, Liberalet Europian shkruan se “Shqipëria nuk është në shitje”, duke iu referuar protestave kundër korrupsionit dhe projektit të debatueshëm në ishullin e Sazanit.
“Na vjen keq, familja Trump, Shqipëria nuk është në shitje. Mijëra shqiptarë kanë protestuar prej javësh në rrugë kundër korrupsionit dhe projektit të diskutueshëm në ishull. Ndërkohë, qeveria shqiptare po shpenzon 4 milionë euro para publike për një koncert të Kanye West, pavarësisht deklaratave të tij antisemite dhe pro-naziste. Liberalët qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Ata meritojnë një qeveri që u shërben qytetarëve të saj, jo interesave të fuqishme”, thuhet në postimin e ALDE Party.
ALDE Party (Aleanca Liberalëve e Demokratëve për Europën) është partia politike panevropiane që bashkon partitë liberale dhe demokratike nga vende të ndryshme të Europës.
© Panorama.al












