LEZHE – Konfirmohet mandati i dytë i Viktor Tushës në krye të Bashkisë së Lezhës. Me mbylljen e procesit të numërimit të votave, përfaqësuesi i LSI-së rezultoi fitues përballë rivalit të tij, Gjok Jaku, të PS-së. Ky i fundit e la mandatin e deputetit të marrë para dy vitesh në Lezhë, për t’u bërë pjesë e garës për kryebashkiak. Jaku ka drejtuar para katër vjetësh Bashkinë e Lezhës nën siglën e Partisë Socialiste. Kjo është hera e tretë që ai kandidon për këtë post, duke rezultuar humbës në dy garat e fundit. Gjatë procesit zgjedhor për bashkinë më të madhe të qarkut nuk u regjistrua asnjë incident. Po kështu edhe procesi i numërimit të votave ka qenë i qetë dhe pa probleme. Kandidati i LSI-së, Viktor Tusha, ka marrë 300 vota më shumë se rivali i tij në të 24 qendrat e votimit të kësaj bashkie. Surprizues ishte avantazhi i kandidatit të Partisë Socialiste në Laç. Deri në orën 01.00 Artur Bardhi, që garoi në siglën e kësaj partie mori 3904 vota kundrejt 2377 votave të rivalit të tij nga PD, Bardh Rica. Që prej vitit 1990 Laçi ka qenë bastion i së djathtës. Procesi i numërimit të votave ishte i ngadaltë dhe nisi me vonese. Ai do të vijojë sot për 5 kutitë e mbetura të cilat mund të sjellin një përmbysje të rezultatit. Votimi për kreun e ri të bashkisë në Laç nuk shënoi incidente. E veçanta e garës në këtë qark ka qenë fitorja e thellë e PS-së në Bashkinë e Rrëshenit, ku kandidati i PS-së, Ndue Kola arriti të merrte 3214 vota kundrejt 798 votave të rivalit të PD-së Gjon Deda. Për zgjedhjen e kryetarit të ri morën pjesë në votime 5530 votues. Në Bashkinë e Rubikut, Gjok Vuka, përfaqësues i PS-së, rezultoi fitues ndaj rivalit të tij, Mark Ruçi, me 362 vota më shumë. Ky i fundit garonte për mandatin e katërt. Dy kandidatët janë ndeshur me njëri-tjetrin edhe para tetë vitesh, ku Ruçi kishte arritur ta mundte Vukën. Këtë radhë, procesi i votimit dhe i numërimit ka qenë normal, pa asnjë incident, ndërsa ka fituar përfaqësi PS-së, Gjok Vuka, duke marrë si kandidat i PD-së, Mark Ruçi.











