Lezhë, këshilltarët e Kolshit nderojnë viktimën e 21 janarit

Jan 14, 2012 | 12:29
Aleks Nika

LEZHE – Komuna Kolsh në Lezhë i jep titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes 34-vjeçarit Aleks Nika, i vrarë gjatë protestave të 21 janarit të vjetshëm në Tiranë. Plot 1 javë para se të mbushet një vit nga ngjarja e rëndë, ndodhur në bulevardin kryesor të kryeqytetit, këshilltarët e Kolshit morën këtë vendim. Me iniciativë të këshilltarëve të Aleancës për të Ardhmen, e cila ka fituar dhe zgjedhjet e komunës më 8 maj, u caktua në rend të ditës dhënia e titullit për Nikën, pas vdekjes. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Komunës Kolsh kishte si pikë të rendit të ditës vetëm vendimin për dhënien e titullit për 34-vjeçarin, i cili humbi jetën bashkë me 3 persona të tjerë, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Duke e ditur këtë rend, këshilltarët e djathtë, të cilët përbëjnë minorancën me 6 anëtarë, nga 15 që ka gjithsej ky këshill, nuk ishin të pranishëm në mbledhje. Në këtë mënyrë, këshilltarët e majtë dhe vetë kreu i komunës, Ferdinand Ndoj, kanë dhënë miratimin e tyre për të nderuar Aleks Nikën pas vdekjes. Këshilltarët e majtë e kanë konsideruar këtë veprim si “një akt nderimi ndaj një viktime të pafajshme”. Kreu i komunës Kolsh, Ferdinand Ndoj, ka shprehur bindjen e tij se “vendimi i Këshillit të Komunës do të konfirmohet nga institucioni i prefektit dhe se iniciatorët për akordimin e këtij titulli i kanë bërë nder të gjithë komunës me nderimin që po i bëhet të riut Aleks Nika, protestuesit paqësor që humbi jetën më 21 janar. Ai u vra në trotuar, duke protestuar kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër uzurpatorëve të pushtetit, duke kërkuar më shumë liri e të drejta, duke kërkuar që të mos cenohet sistemi demokratik”. Ndërsa kryetari i Këshillit të Komunës, Gert Marku, është shprehur se “që të gjithë e kemi njohur nga afër Aleks Nikën, i cili ka qenë një nga modelet e qytetarisë së Lezhës”. Nika ishte një prej 4 protestuesve të vrarë në ngjarjet e 21 janarit 2011. Ende vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtyre vrasjeve.                          r.n

Më 21 janar, homazhe nga PS
Në përvjetorin e parë të vdekjes së 4 protestuesve në Tiranë, Partia Socialiste ka parashikuar zhvillimin e homazheve në vendin ku u vranë ata. Aty do të ndizen qirinj dhe më pas do të zhvillohet një takim në Universitetin e Arteve, për të përkujtuar ngjarjen e rëndë. Gjatë protestës së zhvilluar një vit më parë, u qëlluan me armë zjarri dhe humbën jetë katër veta. Sipas PS-së, ata u vranë nga forcat e Gardës të pranishme në ruajtjen e institucioneve.

© Panorama.al

Te lidhura