Kryetarja e deleguar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, mbajti sot një fjalim ku sqaroi lëvizjet e fundit në bashki.

Kujtojmë se vetëm një ditë pas tërheqjes së Erion Veliajt nga urdhri për shkarkimin e saj, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani firmosi sot shkarkimin e nënkryetares Sara Goxhaj, e cila në urdhrin e tërhequr nga Veliaj do t’i delegoheshin detyrat e kryetarit.

Gjithashtu Anuela Ristani firmosi edhe shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.

Sakaq lidhur me lëvizjet ne bashki, Ristani siguroi publikun se në bashkinë e Tiranës nuk ka asnjë krizë funksionale.
“Ne do vazhdojmë se punuari për një Tiranë që do na bëjë të gjithëve krenarë”, tha kryetarja e deleguar e bashkisë Tiranë.
Ristani theksoi gjithahstu se ajo drejton një institucion që udhëhiqet në bazë të rregulloreve dhe legjislacionit.
Ajo u zotua të mbaje përgjegjësi për çdo lëvizje stafi që bëhet në bazë të këtyre parimeve.
Lidhur me anulimin e shakarkimit të saj nga kjo detyrë Ristani tha se “kryetari dje njoftoi vetë nëpërmjet kanaleve të veta anulimin e urdhrit të parë, janë në protokoll, ka data të sakta.”
Anuela Ristani: E ndiej si një detyrim ndaj secilit prej jush që, pas një sërë njoftimesh që kanë qarkulluar këto ditë në media, të ndaj sot në këtë konferencë për shtyp një sqarim të plotë mbi mënyrën se si po vijon puna në Bashkinë e Tiranës dhe si po menaxhohet institucioni që drejton kryeqytetin e vendit tonë.
Kryetari i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të garantuar vijimësinë e punëve të nisura, sic e sqaroi dhe vetë dje nëpërmjet statusit në rrjetet e tija sociale ka marrë disa vendime. Këto vendime te marra në kushtet e një informacioni të cunguar, por edhe të pasqyruara në media në mënyrë të nxituar dhe të pakonfirmuara asnjëherë nga Bashkia e Tiranës, kanë krijuar një keqkuptim dhe kanë sjellë konfuzion dhe shqetësim të panevojshëm, të cilin e sqaroi ai dje vetë.
Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj. Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës.
Po ashtu, më lejoni të ndaj me ju edhe një mesazh personal. Kam qenë pjesë e kësaj Bashkie dhe e ekipit të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj prej 10 vitesh. Kam punuar çdo ditë përkrah tij, duke sakrifikuar kohën me familjen time për t’i shërbyer qytetit tonë. Për ne, Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë më shumë sesa një institucion – ka qenë një mision i përbashkët. Nuk ka masë sigurie apo artikull mediatik që mund të zbehë respektin dhe besimin që kemi ndërtuar me njëri-tjetrin.
Unë besoj fort se mënyra më e mirë për të nderuar punën dhe përkushtimin e Erion Veliajt është që Bashkia Tiranë të vijojë të kryejë punët më së miri për qytetarët e saj. Sepse në fund, historia do të kujtojë veprat dhe jo fjalët – punën që shihet dhe jo thashethemet që i merr era.
Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Edi Rama, i cili, në këto ditë sfiduese, po i qëndron pranë stafit të Bashkisë dhe qytetit të Tiranës.
Në përfundim, për çdo qytetar që kërkon informacion të saktë, të gjitha kanalet tona të komunikimit mbeten aktive. Zyra e Komunikimit me Qytetarët vazhdon të jetë në dispozicion me përgjegjshmëri dhe përkushtim në sportelet përkatëse. Numri i gjelbër 0 800 0 888 është gjithashtu në funksion, së bashku me adresat tona online në [email protected].
Çfarë ndodhi në Bashkinë e Tiranës:
Pas lëvizjeve në Bashkinë e Tiranës, reagoi vetë Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se pas shkarkimit, kishte vendosur ta rikthente Anuela Ristanin në krye të këtij institucioni.
Siç shprehej ai ridelegimi i kompetencave te Sara Goxhaj ishte keqkuptim, pasi ky emër nuk ishte dakordësuar me ekipin drejtues.
“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm”, shkruan Veliaj.
Sa i takon raporteve me kryeministrin Rama, Veliaj hedh poshtë çdo pretendim për përplasje, duke thënë: “Me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje”.
Reagimi i plote i Erion Veliajt
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”.

URDHRI I VELIAJT
“DELEGIMIT E DETYRAVE TË KRYETARIT” BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,
URDHËROJ:
- Znj. Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
- Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
- Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
- Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.
KRYETARI Erion Veliaj












