Veliaj rikthen sërish Anuela Ristanin kryetare të komanduar të bashkisë Tiranë, kryebashkiaku reagon nga qelia: Ridelegimi ishte keqkuptim! Përplasja me Ramën? Kam vetëm mall të takohem

Mar 20, 2025 | 17:55

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar nga burgu në lidhje me debatin për emërimin dhe shkarkimin e kryetares në detyrë të bashkisë së Tiranës.

Pas shkarkimit të Anuela Ristanit, kryebashkiaku ka vendosur ta rikthejë sërish atë në krye të këtij institucioni, pasi siç shprehet, ridelegim i kompetencave te Sara Goxhaj ishte keqkuptim, pasi ky emër nuk ishte dakordësuar me ekipin drejtues.

veliaj rama

“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm”, shkruan Veliaj.

Sa i takon raporteve me kryeministrin Rama, Veliaj hedh poshtë çdo pretendim për përplasje, duke thënë: “Me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje”.

Reagimi i plote i Erion Veliajt 

“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.

E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.

E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.

E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”.

Screenshot_2

© Panorama.al

Te lidhura